
Portieri gjerman Manuel Neuer ka kritikuar ashpër kolegun e tij italian, Gianluigi Donnarumma, pas episodit të diskutueshëm në ndeshjen PSG-Bayern, ku lojtari i ri Jamal Musiala pësoi një dëmtim të rëndë pas një ndërhyrjeje të portierit të Parisit.
Në një deklaratë për Sky Sport Germany, Neuer nuk i kurseu fjalët ndaj Donnarummës:
“Nuk mund të dalësh ashtu në fushë. Nëse e bën, do të thotë që e di që mund ta lëndosh kundërshtarin tënd. Shkova tek ai dhe i thashë: ‘A nuk do të shkosh të shohësh si është lojtari ynë?’ Është çështje respekti.”
Kapiteni i Bayern Munich shtoi se Donnarumma nuk tregoi korrektësinë e duhur pas incidentit:
“Ai nuk shkoi menjëherë për t’i uruar shërim të shpejtë Musialas. E bëri vetëm më vonë. Për mua, korrektësia në fushë është thelbësore. Do të kisha reaguar ndryshe.”
Trajneri i Bayern-it, Vincent Kompany, u shpreh i tronditur nga rasti dhe deklaroi se rrallë është ndier kaq i zemëruar:
“Ka shumë gjëra të rëndësishme në jetë, por për këta djem futbolli është gjithçka. Musiala jeton për këtë lojë. Kur kthehesh nga një dëmtim dhe ndodh sërish, ndihesh i pafuqishëm. Ajo që më vlon gjakun nuk është humbja, por fakti që kjo i ndodhi dikujt si Jamal, i cili po shkëlqente dhe është thelbësor për ne”.
Top Channel