
Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me forcat e tjera operacionale në terren dhe me ndihmën e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile finalizuan me sukses një ditë të vështirë në betejë me zjarret, në territorin e vendit.
Në Bashkinë Finiq, Forcat Ajrore Shqiptare, në bashkëpunim me dy avionë zjarrfikës të ardhur nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile arritën të vënë nën kontroll zjarrin në masivin malor të Shtugarit dhe në zonën ndërkufitare. Koordinimi i ngushtë ndërmjet Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (AKMC) dhe Agjencisë Greke të Mbrojtjes Civile bëri të mundur hyrjen nga pika kufitare të mjeteve ajrore greke dhe realizimin me efikasitet të misionit. Aktualisht, situata në Finiq është nën kontroll dhe e stabilizuar.
Ndërkohë, një tjetër ndërhyrje ajrore u realizua me sukses në Poliçan, ku flakët rrezikonin zona të pyllëzuara të paarritshme nga toka. Edhe në Elbasan, përpjekjet e vazhdueshme të Drejtoria Rajonale e Mbrojtjes nga Zjarri, Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore bënë të mundur izolimin e vatrës, duke shmangur dëme të mëdha mjedisore dhe materiale.
Në këto ditë të nxehta, me rrezik të lartë zjarresh në të gjithë rajonin e Mesdheut, siç paralajmërohet edhe nga harta zyrtare e shërbimit Copernicus EMS kërkohet kujdes maksimal nga qytetarët.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në natyrë, dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përkatëse në rast rreziku.
Të gjitha strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë, në çdo rast nevoje.
Top Channel