Nga dy kartonë të kuq, tek dëmtimi i rëndë i Musialas/ PSG me 9 lojtarë mposht Bayernin dhe kalon në gjysmëfinale

05/07/2025 20:20

PSG fitoi 2-0 ndaj Bayern Munich në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube, në një ndeshje të tensionuar me dy kartonë të kuq në pjesën e dytë dhe nga një dëmtim shumë i rëndë i Jamal Musialas para përfundimit të pjesës së parë.

Désiré Doué dhe Ousmane Dembélé ishin autorët e golave për ekipin francez, që vulosën fitoren në pjesën e dytë dhe siguruan kalimin në gjysmëfinale, ku PSG do të përballet me fituesin e çiftit Real Madrid – Borussia Dortmund.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, por me shumë raste dhe spektakël nga dy portierët, Donnarumma dhe Neuer, që shpëtuan disa herë portat respektive.

Moment i trishtë erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Jamal Musiala u përplas me Donnarummën në një aksion dhe pësoi një dëmtim serioz në kyçin e këmbës së majtë.

Mesfushori gjerman u largua me barelë, ndërsa stadiumi ra në heshtje.

Ndeshja vazhdoi me ritëm të lartë edhe në pjesën e dytë. PSG gjeti avantazhin në minutën e 78-të, kur Doué realizoi me një goditje të fuqishme me të majtën pas një gabimi të Harry Kane në mesfushë. Vetë Kane shënoi pak më vonë, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje.

Minutat e fundit sollën kaos: dy lojtarë të PSG-së u ndëshkuan me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me nëntë lojtarë.

Bayern kërkoi një penallti në fund, por pas një kontrolli të gjatë me VAR, arbitri vendosi të mos e akordojë.

Me këtë fitore, PSG siguron një vend mes katër më të mirave të botës, ndërsa Bayern Munich e mbyll aventurën në mënyrë të dhimbshme, jo vetëm për eliminimin, por edhe për dëmtimin e rëndë të një prej talenteve më të mëdhenj të skuadrës.

Top Channel