
Mijëra persona janë mbledhur në rrugët e Gondomarit, pranë qytetit të Portos, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Diogo Jotës, sulmuesit të Liverpool-it dhe Kombëtares Portugeze, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik bashkë me vëllain e tij, André (25 vjeç), natën mes 2 dhe 3 korrikut.
Dy arkivolet u transportuan nga kapela funerale në kishën famullitare të qytetit. Brenda u lejohej hyrja vetëm familjarëve dhe miqve të ngushtë, ndërsa ceremonia u transmetua drejtpërdrejt jashtë për mijëra pjesëmarrësit që kishin ardhur të bënin homazhe.
Ndër të pranishmit ishte edhe menaxheri i njohur Jorge Mendes, kapiteni i Manchester City-t dhe bashkëkombësi i Jotës, Bernardo Silva, si dhe një delegacion i plotë nga Liverpool, me kurora lulesh në formën e fanellave me numrat 20 (për Diogon) dhe 30 (për André).
Sipas mediave portugeze, Liverpool do të vijojë të paguajë pjesën e mbetur të kontratës së Diogo Jotës familjes së tij – rreth dy vite deri në përfundimin e marrëveshjes. Ky gjest solidariteti nuk ngushëllon dot dhimbjen e gruas së tij, Rute Cardoso, me të cilën ishte lidhur që në moshën 15-vjeçare dhe që u martuan vetëm 11 ditë para tragjedisë.
Ajo, e veshur me të bardha dhe duke mbajtur një trëndafil të kremtë në dorë, qëndronte pranë arkivolit të bashkëshortit, e mbështetur nga familjarët mes skenash të thella emocionale.
I pranishëm në varrim ishte edhe Ruben Neves, ish-shok skuadre i Jotës te Wolves dhe Porto, i cili udhëtoi nga SHBA me avion privat për të marrë pjesë në ceremoni, vetëm një ditë pasi kishte luajtur në Kupën e Botës për Klube me Al Hilal. Ai dhe Cancelo nuk arritën të përmbanin lotët gjatë minutës së heshtjes.
Nga ceremonia nuk kaloi pa u vënë re mungesa e Cristiano Ronaldos. Pavarësisht mesazhit të tij ngushëllues në rrjete sociale – “Nuk ka kuptim… U prehsh në paqe, do na mungosh” – kapiteni i Kombëtares nuk mori pjesë në funeral. Sipas mediave spanjolle, Ronaldo ndodhej me pushime në Majorka, në bordin e jahtit të tij luksoz, një mungesë që u cilësua si “e pashpjegueshme” nga gazetari portugez António Ribeiro Cristóvão.
Në fund të shërbesës, ipeshkvi i Portos iu drejtua me fjalë prekëse fëmijëve të vegjël të Jotës – Dinis, Mafalda dhe Duarte: “Ju nuk jeni këtu, por po vuani. Apo ndoshta jo, sepse nuk e kuptoni ende. Do të lutem shumë për ju. Sot, dhimbjen më të madhe e kanë nëna juaj dhe gjyshërit tuaj. Të humbësh një fëmijë është e tmerrshme. Por kur janë dy arkivole, fjalët nuk mjaftojnë më. Vetëm ndjenjat flasin”.
Ai përmbylli me një mesazh ngushëllimi: “Edhe Jezusi përjetoi një humbje të tillë kur miku i tij Lázaro vdiq. Ai qau dhe u trishtua. Ne lutemi për një jetë të re për Diogon – jetën e përjetshme në parajsë.”
Top Channel