Denoncimi i ish-ministrit socialist pas paralajmërimit të Ramës për zaptimin e hapësirave publike: Ka 5 vite që trotuari zaptohet nga një deputet i PD-së

05/07/2025 15:31

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj bëri me anë të një postimi në Facebook denoncoi abuzimin dhe zënien e hapësirave publike në Tiranë.

Reagimi i Malajt erdhi në të njëjtën ditë kur kryeministri, Edi Rama bëri thirrje në llogarinë e tij në X për lirimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar se do merreshin masa për zaptuesit nëse urdhri i tij nuk zbatohet, duke iu dhënë afat 48 orë.

Malaj ndau disa foto nga zona “Qyteti Studenti” ku tha se 40% e trotuarit ka 5 vite që është zaptuar nga një kompani private që ka lidhje me një deputet të PD-së.

Postimi i plotë i Arben Malajt:

“Nuk qeveriset me praktika komuniste të “Aksioneve me Goditje të Përqëndruara”.

Vetëm 200 metra larg zyrës së Kryeministrit, në rrugën me kalldrëm nga “Venecia” për tek “Qyteti Studenti”, prej pesë vitesh një kompani private, e lidhur me një ish deputet, edhe sipas fotove te bashkangjitura ka zaptuar trotuarin dhe rreth 40% të sipërfaqes së rrugës publike.

Kjo nuk lejohet ne asnjë vend demokratik.

Kompania duhet te ndërtonte qe ne ditën e pare te investimit sistemin “tunel”, duke mos bllokuar trotuarin dhe duke krijua siguri maksimale, për kalimtaret

Ajo që është më kriminale: banorët gjobiten pa mëshirë nga Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit, ndërsa uzurpimi i hapësirës publike mbrohet me heshtje apo mbështetje nga lart.

Ironia shkon deri aty sa dy policitë na gjobisin për bllokim të “korridorit të biçikletave”, ndërkohë që korridori ka 5 vite është i paralizuar sepse është zaptuar nga kompania private.

Kemi bërë peticione, ankesa, kemi shkuar në Bashki dhe në Polici, por përballë padrejtësisë, institucionet janë bërë të shurdhëra.

Reagoj publikisht, sepse nuk ka më as durim, as justifikim që një rrugë e zaptuar në mes të Tiranës të mbrohet për 5 vite me radhë, ndërsa qytetarët ndëshkohen çdo ditë.

Zbatoni ligjin!

Zhbllokoni rrugën!

Ndëshkoni abuzuesit, jo banorët!

 

Top Channel