Zyrtare/ U kërkua me ngulm nga Barcelona, Nico Williams surprizon me të ardhmen e tij

04/07/2025 10:56

Ylli i përfaqësueses spanjolle dhe kampion i Euro 2024, Nico Williams, ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me Athletic Club Bilbao deri në vitin 2035.

Lajmi u bë publik përmes një videoje emocionuese, ku sulmuesi “nënshkruan” marrëveshjen mbi një mural të dedikuar atij, i cili ishte vandalizuar disa herë javët e fundit.

“Kur duhet të marrësh vendime, për mua pesha më e madhe është zemra. Jam aty ku dua të jem, pranë të miqve. Kjo është shtëpia ime. Aupa Athletic!”, u shpreh Nico në video.

Sipas njoftimit zyrtar nga Athletic Club, kontrata e re do të zgjatet për tetë vite të tjera, deri më 30 qershor 2035, ndërsa klauzola e largimit është rritur me mbi 50%, nga 58 milionë euro që ishte më parë.

Ky është një sinjal i fortë besimi nga Williams ndaj projektit sportiv të klubit bask, i cili tashmë ka siguruar një brez të ri premtues lojtarësh të rinj si Unai Simón, Oihan Sancet, Dani Vivian e të tjerë, nën drejtimin e trajnerit Ernesto Valverde. Në mesin e tyre, edhe vëllai i madh, Iñaki Williams, kapiten i skuadrës.

Në javët e fundit, mediat spanjolle, përfshirë MARCA, raportuan për dyshimet e Nico-s rreth transferimit te Barcelona, për shkak të problemeve të regjistrimit të lojtarëve nga klubi katalanas dhe situatave të ngjashme me emra si Dani Olmo apo Pau Víctor.

Por, në vend të një transferimi të bujshëm, Williams zgjodhi të qëndrojë te Athletic, duke u bërë simbol i një klubi që është “Unik në Botë” për filozofinë e tij dhe përkushtimin ndaj futbollistëve vendas.

Nico Williams (Iruñea, 2002) iu bashkua Akademisë së Athletic në sezonin 2013/14 dhe debutoi me ekipin e parë më 28 prill 2021, në moshën 18-vjeçare. Që atëherë ka zhvilluar 167 ndeshje zyrtare, ka shënuar 31 gola dhe ka ndihmuar klubin të fitojë Kupën e Mbretit, si dhe të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League dhe Champions League.

Përveç paraqitjeve mbresëlënëse në fushë, ai u shpall MVP i finales së Euro 2024, ku u shpall kampion me Spanjën, si dhe u rendit i 15-ti në listën e Topit të Artë, duke forcuar më tej statusin e tij si një ambasador ndërkombëtar i Athletic Club.

Top Channel