U skualifikua për dy vite nga futbolli për doping, kampioni i Botës së Argjentinës firmos me klubin italian

04/07/2025 10:52

Pas një pezullimi dyvjeçar për doping që përfundon në tetor 2025, Alejandro “Papu” Gomez është gati të rikthehet në futbollin profesionist, në moshën 37-vjeçare.

Ish-ylli i Atalantës ka arritur një marrëveshje me Padovën, ekip që militon në Serie B, dhe do të tentojë një fillim të ri në karrierën e tij, duke i dhënë fund një periudhe të vështirë larg fushave të blerta.

Edhe pse nuk mund të luajë menjëherë për shkak të skualifikimit, klubi nga Veneto ka vendosur të investojë te përvoja dhe personaliteti i argjentinasit, duke e konsideruar si një element kyç për sezonin e ardhshëm.

Krahas Papu Gomez, Padova është pranë finalizimit edhe të transferimit të Daniele Basellit, një tjetër mesfushor me përvojë në Serie A, që do të forcojë repartin qendror të skuadrës.

Rikthimi i Gomez në futboll vjen pas një dënimi të bujshëm për doping, që i ndërpreu karrierën në një moment të rëndësishëm, pak pasi kishte fituar Kupën e Botës me Argjentinën në vitin 2022. Futbollisti ishte penalizuar për përdorimin e një substancë të ndaluar, dhe që prej asaj kohe nuk ishte aktivizuar në asnjë klub.

Top Channel