
Trupi i futbollistit portugez Diogo Jota, së bashku me atë të vëllait të tij André, mbërritën mbrëmjen e djeshme në një kishë në Gondomar të Portugalisë, ku u pritën me duartrokitje dhe lot nga qindra qytetarë të pikëlluar.
Dy vëllezërit humbën jetën tragjikisht në një aksident të rëndë automobilistik në orët e para të së enjtes. Ata po udhëtonin me një Lamborghini Huracan, kur goma e makinës thuhet se shpërtheu gjatë një parakalimi në autostradën A-52, në zonën e Cernadillas pranë kufirit me Portugalinë. Automjeti doli nga rruga, u përmbys dhe shpërtheu në flakë, duke përfshirë edhe vegjetacionin përreth.
Ceremonia mortore u zhvillua sot në mëngjes në Capela de Ressurreição, rreth orës 08:00, vetëm gjysmë ore larg qytetit të lindjes së Jotës, Porto. Varrimi do të mbahet të shtunën në ora 10:00 në kishën katolike Igreja Matriz, që ndodhet pranë kapelës, njoftoi prifti i famullisë, Jose Manuel Macedo.
“Jemi këtu për të ndarë dhimbjen, por edhe shpresën e krishterë. Do të kujtojmë jetët e tyre me dinjitet dhe dashuri”, tha Macedo për CNN.
Mbrëmjen e së enjtes, trupat e Jotës dhe të vëllait të tij u transportuan në një agjenci funerale në Puebla de Sanabria, qyteti spanjoll më i afërt me vendin e ngjarjes. Agjenti i njohur Jorge Mendes, i cili e shoqëroi nënën e Diogos në funeral, tha mes lotësh: “E pamundur të besohet. Kemi humbur dy njerëz të mëdhenj. Diogo ishte shembull si njeri, si bashkëshort, si bir, si profesionist.”
Vetëm dy javë më parë, Diogo Jota ishte martuar me partneren e tij prej vitesh, Rute Cardoso, në një ceremoni të mbushur me të afërm dhe miq në Porto. Të dy kishin ndarë momente të lumtura në rrjete sociale, pak orë para tragjedisë.
Sipas raportimeve, Jota dhe André po udhëtonin drejt Santander-it për të kapur një traget për në Britani, pasi mjekët i kishin rekomanduar të mos udhëtonte me avion pas një ndërhyrjeje në mushkëri.
Policia spanjolle ende nuk ka konfirmuar se kush ishte në timon, ndërsa hetimet për aksidentin vazhdojnë.
Top Channel