Bizneset e turizmit nën presion, ekspertët: Plani për kontrollet e tatimeve dhe inspektoriateve po pengon aktivitetin tonë

04/07/2025 15:47

Administratorët tatimorë, inspektorët por edhe vet bashkitë, do të dalin në terren këtë sezon veror për të luftuar informalitetin në turizëm.

Së fundmi edhe Inspektoriati Shtetëror i Punës ka përgatitur një plan të detajuar masash për turizmin me në fokus inspektime dhe kontrolle për deklarimin e punonjësve si dhe të pagave të tyre por dhe respektimin  e kushteve të punonjësve.

Sipas Inspektoriatit shtetëror të punës, turizëm i suksesshëm do të thotë punë me dinjitet dhe ligjshmëri në:

1) Pagesën e Sigurimeve Shëndetësore dhe Shoqërore

2) Monitorim i posaçëm për respektimin e ligjit mbi punësimin e të miturve dhe ndalimin e punëve të rrezikshme apo të natës.

3) Pagesa e Orëve Shtesë sipas Kodit të Punës

4) Ditët e Pushimeve Javore

Por për ekspertët e turizmit një shigjetim i tillë i turizmit kryesisht pranë strukturave akomoduese dhe bareve dhe restoranteve vë në presion sektorin dhe dëmton imazhin e bizneseve që shërbejnë 24 orë në këtë sezon.

“Nuk ka nevojë që të bëhen presione të tilla pasi vet strukturat akomoduese kanë sisteme selfcare ku lihen gjurmë për çdo veprim. Një zbarkim në terren do të prishte imazhin e turizmit në sy të turistëve. Nuk është delja e zezë hotelet e baret, por vëmendje duhet të jetë tek ata sektorë që janë informalë”, tha Zak Topuzi, kreu i shoqatës së operatorëve turistikë.

Po kështu Inspektorati i Punës njofton se do të ketë kontrolle edhe për punonjësit e huaj.

“Një verifikim i rregullshmërisë së dokumentacionit dhe respektimit të të drejtave të tyre ligjore do të kryhet edhe për punonjësit e huaj”, njofton Inspektoriati Shtetëror i Punës.

Për ekspertët e turizmit masat e vendosur si nga inspektoriati, por dhe drejtoria e tatimeve po pengojnë edhe më tej zhvillimin e aktivitetit të tyre në një periudhë kur turizmi po luan rol kryesor në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Kreu u shoqatës së operatorëve turistikë deklaron se vetëm një përqindje e vogël ka zbatuar VKM-në  të fundit të qeverisë për referencën e shfrytëzimit të dhomave.

Vetëm 700 formularë janë plotësuar për okupancën 65% të hoteleve nga mbi 2500 të tillë. Pasi puna jonë është sezonale na pengon shumë nuk ka një përllogaritje vjetore”, u shpreh Topuzi.

Deri më tani Shqipërinë e kanë vizituar mbi 3.3 milionë të huajë. Por për ekspertët ecuria e turizmit ka shfaqur një ngadalësim këtë sezon veror krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Top Channel