
Vetëm pak orë para aksidentit fatal që i mori jetën, Diogo Jota, ylli portugez i Liverpoolit, ndau me ndjekësit e tij një video prekëse nga dita e dasmës – një postim që sot është kthyer në një kujtim të dhimbshëm për miliona fansa në mbarë botën.
Jota, i cili humbi jetën pas një aksidenti tragjik në Spanjë, kishte kurorëzuar dashurinë e tij vetëm 11 ditë më parë me partneren Rute Cardoso, me të cilën kishte një marrëdhënie prej më shumë se një dekade.
Në videon që publikoi në rrjetet sociale, Jota tregonte momente intime dhe të lumtura nga përgatitjet para ceremonisë, vallëzimet në festë dhe gëzimin që e rrethonte atë ditë të veçantë. Në sfond dëgjohej një bandë live, teksa çifti kërcente i rrethuar nga miqtë dhe familjarët.
Ai e shoqëroi postimin me fjalët prekëse: “Një ditë që nuk do ta harrojmë kurrë.”
View this post on Instagram
Diogo dhe Rute ishin bashkë që prej vitit 2012. Ata u fejuan në korrik të vitit 2022, ndërsa martesa u zhvillua në një kishë në qytetin Porto, në vendlindjen e tyre. Së bashku, ata ishin prindër të tre fëmijëve, përfshirë edhe të voglin Duarte, që ishte i pranishëm në ceremoninë martesore.
Në një foto nga dasma, Rute kishte shkruar: “Po për gjithë jetën. Ëndrra ime u bë realitet.”
Ndërsa Jota, pas kurorëzimit, kishte komentuar: “Unë jam me fat.”
Jota ishte jo vetëm një futbollist i dashur në “Anfield”, por edhe një burrë familjar i përkushtuar, i cili gjithmonë e kishte vendosur familjen në qendër të jetës së tij. Humbja e tij dhe e vëllait të tij André, që ndodhej me të në makinë në momentin e aksidentit, ka shkaktuar një tronditje të thellë në botën e sportit dhe më gjerë.
Një dashuri që u ndërpre shumë shpejt. Videoja e fundit e Diogo Jotës nuk është më thjesht një kujtim i bukur – është një testament i fundit i një jete të mbushur me dashuri, përkushtim dhe gëzim familjar.
Top Channel