Prokuroria aksion te “Bankers Petroleum”, 9 të arrestuar! Reagon kompania: Kemi investuar 4.5 mld $ në ekonominë shqiptare

03/07/2025 12:59

14 masa sigurimi u caktuan për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Prokuroria e Fierit njofton se pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, u grumbulluan prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar këto vepra penale, ndërsa u ekzekutuan 9 masa sigurimi ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Pesë të tjerë u shpallën në kërkim.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, ç’ka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë, njofton prokurorua. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë“, njofton Prokuroria e Fierit.

Pas aksionit në kompani, reagoi vetë Bankers Petroleum, që thotë se prej vitit 2004, kanë investuar 4.5 mld $ në ekonominë shqiptare dhe kanë siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto.

“Për njëzet e një vjet, Bankers Petroleum Albania (BPAL) ka qëndruar krah për krah me Shqipërinë në fuqizimin e së ardhmes së saj energjetike. Që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto; dhe kemi mbështetur më shumë se 1,500 familje lokale përmes punësimit cilësor. Jemi krenarë në mënyrë të përulur që kemi kontribuar me 730 milionë dollarë në rentën minerare (68.9% e totalit të Shqipërisë) për zhvillimin e sektorit energjetik, 40 milionë dollarë për mbrojtjen e mjedisit dhe 10 milionë dollarë për forcimin e komuniteteve – një trashëgimi që e konsiderojmë të shenjtë. Ndërkohë, kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD.

Që pas blerjes nga aksionerët e mëparshëm në vitin 2016, ekipi ynë i ri drejtues ka integruar ndershmërinë në çdo aspekt të operacioneve të BPAL. Kemi dëshmuar angazhimin tonë ndaj partneritetit përmes prokurimeve më transparente, përputhshmërisë më rigoroze me ligjet dhe uljes së ndjeshme të mosmarrëveshjeve.

Në përgjigje të hetimeve të fundit rregullatore, BPAL dhe kompania jonë mëmë, BPL, janë të përkushtuara të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare. Jemi në proces të emërimit të një përfaqësuesi të lartë për të garantuar një bashkëpunim të plotë dhe transparencë operacionale. Respektojmë dhe mbështesim të gjitha masat ligjore për të ruajtur standardet rregullatore dhe të integritetit në Shqipëri. Deri më tani, operacionet tona mbeten të qëndrueshme, ekipi ynë bazë është i plotë dhe aktivitetet tona të përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha.

Jemi të përkushtuar të vazhdojmë të shërbejmë klientët dhe partnerët tanë. Duke parë përpara, BPAL mbetet e vendosur në qëllimin e saj për të garantuar stabilitetin energjetik të Shqipërisë përmes operacioneve të besueshme, thellimit të rrënjëve në punësimin lokal dhe investimeve në komunitet, si dhe duke nderuar besimin që Shqipëria na ka dhënë që prej vitit 2004.

Ne ecim përpara me përkushtim për të përmbushur përgjegjësitë tona ndaj Shqipërisë me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të vazhdueshme”.

Top Channel