Ndarja papritur nga jeta e Diogo Jotës, vjen reagimi i Liverpool-it: Jemi të shkatërruar, të respektojmë privatësinë e familjarëve

03/07/2025 11:31

Liverpool FC ka reaguar zyrtarisht pas lajmit tragjik të ndarjes nga jeta të Diogo Jotës, sulmuesit portugez që ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare pas një aksidenti fatal në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, André Jota.

Në një deklaratë të shkurtër, klubi anglez shprehet i shkatërruar nga kjo humbje: “Klubi i Futbollit Liverpool është i shkatërruar nga ndarja tragjike e Diogo Jotës. Klubi është informuar se 28-vjeçari ka ndërruar jetë pas një aksidenti rrugor në Spanjë së bashku me vëllain e tij, André.”

Klubi ka bërë thirrje për respektimin e privatësisë së familjes Jota dhe të gjithë atyre që janë prekur nga humbja: “Liverpool FC nuk do të bëjë asnjë koment të mëtejshëm në këtë kohë dhe kërkon që privatësia e familjes, miqve, shokëve të ekipit dhe stafit të Diogos dhe Andrés të respektohet, ndërsa ata përpiqen të përballen me një humbje të paimagjinueshme.”

Në përfundim të deklaratës, klubi thekson se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për familjen dhe personat më të afërt të Jotës, në këto momente jashtëzakonisht të vështira.

Diogo Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 nga Wolverhampton dhe u bë një prej lojtarëve më të dashur të tifozëve në “Anfield”, falë profesionalizmit, shpirtit luftarak dhe lidhjes së tij të fortë me ekipin dhe publikun. Humbja e tij përfaqëson një dhimbje të madhe për të gjithë komunitetin e futbollit.

Top Channel