Koha e duhur për kredi? Ekspertët: Ulja e normës së interesit do të nxisë huamarrjen dhe stabilizojë kursin e këmbimit

03/07/2025 19:52

Kosto më të ulëta të huamarrjes, këste më të favorshme të kredive si dhe një kërkesë më e lartë drejtuar bankave, janë këto efektet që pritet të sjellë ulja e normës së interesit me 0.25%.

Ndryshimi i ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për të 3-tën herë brenda 2 viteve, sipas ekspertëve pritet të nxisë më tej kreditimin në ekonomi.

Rritja e kreditimit në monedhën vendase e cila pritet të nxisë më tej në treg praninë  e lekut mund të sjellë sipas ekspertëve edhe luhatje të lehta në kursin  e këmbimit. Ndërsa një ndikim pritet edhe në blerjen e pasurive të paluajtshme me anë të kredive.

Një vendim për normën bazë të interesi nga BSH erdhi disa muaj pasi Banka Qendrore europiane e uli këtë tregues në njëjtën vlerë prej 2.5%.

Që prej nëntorit të 2024, Banka e Shqipërisë e ka mbajtur normën bazë të interesit në 2.75%. Ndonëse Banka ndërhyn për të ruajtur stabilitetin ekonomik ekspertët shohin si shqetësim serioz edhe tensionet gjeopolitike.

Top Channel