
E ardhmja e Denzel Dumfries te Interi është gjithnjë e më e pasigurt, teksa anësori holandez mund të largohet nga “Nerazzurrët” gjatë këtij afati kalimtar veror.
Në kontratën e tij ekziston një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet e huaja dhe vetëm deri në mesin e korrikut – çka rrit ndjeshëm gjasat për një transferim të mundshëm në ditët në vijim.
Sipas mediave italiane dhe spanjolle, skuadra më e interesuar për momentin është Barcelona, e cila ka ndjekur Dumfries prej muajsh. Megjithatë, katalanasit ende nuk kanë paraqitur një ofertë zyrtare, dhe nuk kanë zhvilluar asnjë kontakt konkret me Interin apo lojtarin.
Për ta bërë të mundur transferimin, Barcelona duhet të bindë fillimisht lojtarin dhe më pas të paguajë të gjithë shumën e klauzolës në një këst të vetëm – një lëvizje që deri tani duket e vështirë për shkak të kufizimeve financiare të klubit.
Në sfond, një tjetër zhvillim mund të ndikojë në të ardhmen e Dumfries: lojtari ka ndërruar agjent, duke u ndarë nga agjencia Wasserman Group, e cila menaxhon edhe emra të mëdhenj si Valverde, Stones, McKennie dhe Aké. Tashmë, Dumfries është përfaqësuar nga Jorge Mendes, superagjenti portugez i njohur për bashkëpunimin e gjatë me Cristiano Ronaldon dhe menaxhimin e dhjetëra yjeve të futbollit botëror.
Ky ndryshim pritet të sjellë dinamika të reja në treg për 28-vjeçarin, që shihet si një profil ideal për skuadrat që kërkojnë përforcime në krahët e mbrojtjes.
Afati për klauzolën e lirimit po skadon dhe javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Dumfries.
Top Channel