
Atmosferë prekëse në Anfield, ku tifozët e Liverpoolit, të tronditur nga ndarja tragjike nga jeta e Diogo Jotës, kanë krijuar një altar nderimi dhe dhimbjeje pranë hyrjes së stadiumit legjendar.
Qindra mbështetës të klubit kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit për të vendosur lule, shalla të kuq, fanella të Jotës dhe mesazhe prekëse, duke krijuar një skenë prekëse solidariteti, si një mënyrë për të shprehur dashurinë dhe mirënjohjen për sulmuesin portugez, që humbi jetën së bashku me vëllain e tij pas një aksidenti tragjik në Spanjë.
Në oborrin e Anfield-it është ulur flamuri i klubit në gjysmështizë, si një shenjë zie dhe respekti për një nga lojtarët më të dashur të ekipit. Heshtja mbizotëron ndërsa vizitorët ndalen për një moment reflektimi, shumë prej tyre me lot në sy.
“You’ll Never Walk Alone”, është një nga mesazhet më të përsëritura nga fansat, të cilët nuk e kanë harruar kurrë pasionin, përkushtimin dhe buzëqeshjen karakteristike të Diogo Jotës në fushë.
Në ditët në vijim pritet që klubi të organizojë një homazh zyrtar.
Top Channel