“Lufta civile” Lautaro-Çalhanoglu! Interi përçahet pas largimit të Inzaghit, bashkëshortja e trajnerit zgjedh cilën anë mban në debatin mes lojtarëve

02/07/2025 10:28

Te Interi po shpërbëhet një ekuilibër i brishtë që ishte ndërtuar gjatë epokës së Simone Inzaghit.

Largimi i tij drejt Arabisë Saudite u pasua nga tensione të mëdha në dhomat e zhveshjes, debate mes liderëve të skuadrës dhe sjellje publike që zbulojnë ndarje të thella brenda grupit.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte një “pëlqim” i heshtur: Gaia Lucariello, gruaja e Simone Inzaghit, i dha “like” postimit të Hakan Çalhanoglut në Instagram, në të cilin mesfushori turk reagonte ndaj kritikave dhe tensionit me Lautaron dhe drejtuesit.

Ky gjest i thjeshtë, por domethënës, sinjalizon qartë anën që mban Inzaghi dhe rrethi i tij në këtë krizë të brendshme: nuk është me drejtuesit, por me lojtarët që ndihen të ekspozuar dhe të lënë pas dore.

Gjatë kohës së Inzaghit, te Interi ekzistonte një pakt joformal mes lojtarëve, një frymë solidariteti për të qëndruar bashkë dhe për të luftuar për tituj, duke refuzuar ofertat nga klubet e mëdha. Një frymë që ngjante me atë të Sampdorias së Boskov. Por pas humbjes në finalen në Mynih dhe kalimit të Inzaghit në Al-Hilal, ajo kohezion u thye.

Kjo u pa hapur në fjalët e zemëruara të Lautaros, që sulmuan kolegun Çalhanoglu për flirtin me Galatasaray, dhe më pas në përgjigjen publike të Çalhës, që foli për “fjalë që përçajnë”. Pëlqimi nga gruaja e Inzaghit ndaj atij reagimi ishte një mesazh i qartë: ata që ishin pranë trajnerit, nuk janë dakord me drejtimin që ka marrë klubi.

Nga rrethi i afërt i Inzaghit vijnë kritika ndaj mënyrës sesi u menaxhua situata: mungesa e një sulmuesi të ri në janar, mungesa e rinovimit të premtuar, mungesa e mbështetjes publike nga klubi kur trajneri ishte nën presion. Kjo, sipas tyre, detyroi Inzaghin të largohej dhe tani po sjell pasoja në grup.

Giuseppe Marotta, që tashmë synon një “pastrim” të brendshëm, duket se është i gatshëm ta përdorë këtë përçarje për të rinovuar skuadrën. Largimi i Çalhanoglus mund të jetë vetëm hapi i parë.

Në këtë atmosferë të elektrizuar, Cristian Chivu mori situatën në dorë dhe mblodhi skuadrën për një takim sqarues në Charlotte. Zyrtarisht u fol për “harmoni”, por në prapaskenë klima mbetet e tensionuar.

Nëse Inzaghi ishte fija e padukshme që i mbante të gjithë bashkë, tani Interi duhet të gjejë një lidhje të re. Dhe me gruan e tij që pozicionohet hapur në një anë të debatit, është e qartë se ndarja është më e thellë sesa duket.

Top Channel