E bujshme/ Max Verstappen largohet nga Red Bulli për te rivalët e austriakëve? Reagon 4-herë kampioni i Botës: E ardhmja ime është në duart e mia

02/07/2025 09:29

Një largim i mundshëm i Max Verstappen nga Red Bull është përfolur shumë gjatë këtij sezoni dhe zërat janë shtuar akoma dhe më shumë pas garës së Austrisë disa ditë më parë.

Ditët e fundit, në media është shkruar se destinacioni i ri i 4-herë kampionit të Botës mund të jetë skuadra e Mercedes.

Një gjë të tillë nuk e ka mohuar dhe as drejtuesi i skuderisë gjermane, Toto Ëolff, duke theksuar se është detyra e tij si drejtues skuadre të shqyrtojë të gjithë tregun e pilotëve.

I pyetur nga “Viaplay” për lidhjen me Mercedes, Verstappen nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke zgjedhur të jetë i kujdesshëm në komentet e tij.

“Unë nuk kam shumë për të shtuar mbi këtë temë,” tha 27-vjeçari. “Sa më shumë të flas, aq më shumë do të shkruhet në media. Dhe unë nuk e dua këtë. E ardhmja ime varet nga unë.”

Ndërkohë që sezoni vijon, Verstappen përballet me sfidën për të fituar titullin e pestë kampion, pasi McLaren duket se po përfiton nga avantazhi në klasifikim.

Piloti holandez shprehu optimizëm për pjesën e mbetur të sezonit, duke nënvizuar se garat e ardhshme do të jenë vendimtare.

“Sigurisht që do të ketë përmirësime, kështu që nuk mund të them menjëherë nëse është apo jo një sukses,” u shpreh ai. “Rreth pushimeve të verës do të jetë më e qartë se çfarë do të ndodhë këtë sezon në aspektin e performancës.”

Megjithatë, Verstappen theksoi se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar: “Nuk është se mendoj më shumë tani sesa vitin e kaluar apo vitet e mëparshme. Jam shumë i qetë për gjithçka, thjesht bëj punën time.”

Top Channel