Nga Asambleja Parlamentare e OSBE, Berisha kërkon qeveri teknike: Në 11 maj, u aplikua ‘treni bullgar’! U vodhën votat e shqiptarëve

01/07/2025 15:32

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë.

Në krye të një delegacioni të opozitës, Berisha vijoi me pretendimet për farsë zgjedhore, kur tha se Shqipëria ka “nevojë t’i kthehet zgjedhjeve të lira, përkundër farsës elektorale, si në diktaturë”.

Europa ka njohur shumë lloje diktaturash, por kurrë më pare një narkodiktaturë. Kjo është një diktaturë e një natyre tjetër. Edhe në këtë diktaturë të gjitha pushtetet përqendrohen në dorën e vetëm një personi, të Kryeministrit. Por, ashtu siç shkruante Samuel Huntington për këto lloj diktaturash, narkodiktatura karakterizohet nga fakti që asnjë ligj, asnjë rregull dhe asnjë parim nuk respektohet.
Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë. Për këdo që është i interesuar: ai këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë. Në këtë kuadër, Kryeministri i Shqipërisë, pak javë para zgjedhjeve, me dekret miratoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis, kryesisht pranë kufijve me vendet fqinj“, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati foli më tej për hetimet e SPAK ndaj tij dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

“Edi Rama, për të marrë mandatin e katërt, vendosi të arrestojë dy liderët kryesorë të opozitës dhe të hapë proces penal ndaj Fatmir Mediut, kryetarit të forcës së tretë opozitare. Të gjitha këto pa asnjë akuzë penale. Gjithashtu, ai urdhëroi arrestimin e kryebashkiakëve dhe deputetëve të opozitës.
Ne kemi pasur në të kaluarën diktaturën më të ashpër, diktaturën staliniste, që nuk krahasohet me asgjë tjetër. Në këto zgjedhje, është e vërtetë që kishte kandidatë të forcave të ndryshme politike. Por nga ana tjetër, të gjitha potencialet dhe burimet e shtetit u përdorën si instrument elektoral nga partia-shtet”.

Berisha foli edhe për trenin bullgar, një mënyrë e vjedhjes së votave, që sipas tij u aplikua në 11 maj.

“Po shqyrtojmë dhe analizojmë pamjet zyrtare (të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), të procesit në çdo qendër votimi, dhe po përgatisim video të shkurtra që evidentojnë shkeljet. Kemi vërejtur në shumë e shumë raste trenin bullgar (karusel), votim në grup, komisionerë që votojnë për zgjedhësit etj. Ka aq shumë parregullsi. Ne kemi qenë tashmë në Këshillin e Europës, në Parlamentin Europian. Por mendojmë që OSBE është themeluar mbi premtimin dhe detyrimin e vendeve anëtare për respektimin e votës së qytetarëve dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas parimeve dhe standardeve të vendosura në dokumentin e Kopenhagës dhe konventa të tjera. Ne kemi besim të plotë që ky institucion, brenda misionit të tij, do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve te lira e të ndershme dhe krijimin e mjedisit që çdo parti të jetë në kushte të barabarta gare, dhe media te lirë, votim pa intimidime, ku çdo qytetar të ketë mundësinë e zgjedhjes së lirë dhe të informuar të kandidatëve.”.

Nga Asambleja Parlamentare e OSBE, Berisha kërkoi qeveri teknike në Shqipëri.

“Pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndaj sot, në emër të opozitës shqiptare, kërkoj nga ky institucion i nderuar: Së pari, të mbështesni raportin paraprak të ODIHR. Së dyti, iu bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndjekin rekomandimet e shkruara në raportet e fundit të OSBE-ODIHR, që prej vitesh kanë mbetur të pa zbatuara për shkak të mungesës së vullnetit të narkoqeverisë”.

Top Channel