Nis rinumërimi në Fier, Lapaj kërkon një mandat nga PS, Zegjineja forcon pozitat. Ja me sa vota e ruan mandatin

30/06/2025 14:09

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nën monitorimin e anëtarëve të KAS nisi rinumërimin e votave për qarkun e Fierit.

Në total janë 587 kuti votimi për t’u numëruar.

Sipas të dhënave të reflektuara në faqen online të KQZ në 97 kuti të numëruara deri më tani Partisë Demokratike i janë shtuar 20 vota ndërsa PS 7.

Ndërsa Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet inicuese e kërkesës për rinumërimin e qarkut fier,  i janë shtuar 2 vota.

Social Demokratëve të Tom Doshit i janë hequr 3 vota ndërsa dy vota i janë hequr Partisë Aleanca.

Për votën preferenciale deri më tani nga demokratët ka rezultuar se është mbajtur me hatër Arben Cuko duke i shtuar padrejtësisht 25 vota pasuar nga Ledion Cala me 19 më shumë se çfarë i takonin.

Rinumërimi i ka ardhur në ndihmë kandidatit socialist Klevis Jahas të cilit komisionerët i kishin hequr 61 vota pasuar nga Elton Korreshi 42 vota.

Përparim Arapi një tjetër kandidat socialist kishte marrë 42 vota plus që nuk i takonin.

E famshmja kandidate socialiste e Fierit Zegjine Caushi e cila e fitoi mandatin për vetëm 61 vota deri më tani i është hequr vetëm 1 votë.

Kërkesa për rinumërimin e Fierit ishte e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, i cili pretendon një mandat,  për t’ja marrë Partisë Socialiste.

E që kjo të ndodhë i  duhen 517 vota të cilat deri më tani nga kutitë e rinumëruara duket një mision i vështirë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel