
Vendbanimi palafit më i vjetër në Europë ndodhet në Lin, konfirmojnë studiuesit, që zbuluan se 8500 vite më parë në këtë zonë, u vendos një popullsi fermerësh që ndërtuan struktura druri buzë liqenit të Ohrit dhe shfrytëzuan natyrën me resurset përreth për bujqësi.
Teksa po mbyllet faza e parë e projektit e realizuar nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Bernës, u prezantuan qindra objekte të zbuluara nën tokë dhe nën ujë gjatë kërkimeve në Lin, një pjesë e të cilave janë studiuar në laboratorin e dendrokronologjisë, i krijuar falë bashkëpunimit me universitetin zviceran, studion moshën e pemëve përmes rrathëve në to.
“Gjetjet janë shumë premtuese dhe ne e dimë që për 2000 vite njerëzit kanë jetuar këtu mes vitit 6000-4000 para Lindjes së Krishtit parashikoj dhjetra fshatra ose më shumë. Shtresa organike përmban edhe farëra të ndryshme që na japin dëshmi mbi bujqësinë gjatë prehistorisë. Një nga objektivat është të gjurmojnë si ka ardhur bujqësia nga Lindja drejt Evropës, një nga stacionet kryesore është siti Lin 3, që është ndryshe nga Selaniku, Thesalia apo vende të nxehta të Egjeut”, u shpreh Drejtori i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin e Bernës, Albert Hafner.
“Ky projekt për ne ka qenë një mundësi e madhe, sidomos sa i përket arkeologjisë nënujore shqiptare. Dentrokronologjia na jep mundësinë që të rishikojmë datimet, jo vetëm në pellgun e Korçës dhe Pogradecit, por është një mundësi shumë e mirë edhe për rajonin, Ballkanin”, tha arkeologu Adrian Anastasi.
Trungje pemësh, copëza guri qeramike e objektesh të ndryshme të nxjerra nga sondazhet e bëra në tokë apo gardhi rrethues i zbuluar në liqen tregojnë aktivitetin e popullsisë në prehistori, që sipas studiuesve ka ardhur nga Lindja. Megjithatë, për ekipin vijimi i punës edhe me fazat e tjera që do të zgjeronin perimetrin e gërmimeve janë të rëndësishme për të mësuar më shumë nga ky vendbanim me rëndësi për arkeologjinë europiane.
“Këtu ka një bashkëpunim profesional, me ekspertë të të dy vendeve. Megjithëse kjo fazë e parë përfundon këtë vit, unë shpresoj që ky bashkëpunim të vijojë“, theksoi ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber.
Top Channel