
Serbët, që do të marrin pjesë në festën e Vidovdanit, janë penguar të futen brenda rrethojave pranë monumentit të Gazimestanit me flamujt serbë.
Teksa u mblodhën para monumentit ata nisën thirrjet në kor “Kosova është Serbi” apo “Kosova është zemra e Serbisë”. Ndërkohë, një qytetar është ndaluar nga policia.
Policia e Kosovës bën thirrje për manifestim të qetë dhe apelon për shmangie të provokimeve.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”.
Një ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti hodhi pretendimin se për të zhvendosur vëmendjen nga protestat në Beograd, Serbia ka në plan të nxisë incidente në Gazimestan.
“Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht, grupet e tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu edhe kundër vlerave demokratike e evropiane”.
Çdo 28 qershor, serbët festojnë Vidovdanin, atë që e quajnë Beteja e Kosovës. Festa fillon me një meshë në Manastirin e Graçanicës, për t’u zhvendosur në Gazimestan, pak kilometra larg Prishtinës.
Top Channel