“Ultimatumi” i Gjykatës Kushtetuese, Kurti fton partitë politike në konsultim: Takim i përbashkëti ditën e nesërme

27/06/2025 10:22

Pas ultimatumit të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare në një takim për të gjetur marrëveshje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës, tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson “qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”.

“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.

Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit“, ka shkruar Kurti.

Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja edhe katër muaj pas mbajtës së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Dje, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik

Top Channel