
Ish-prokurori Arjan Ndoja është marrë në pyetje sot në GJKKO, në gjyqin ndaj Plarent Dervishit dhe Julian Meçes lidhur me atentatin e bujshëm të 1 nëntorit 2019.
Ditën e ngjarjes Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Ndoja, aktualisht deputet i zgjedhur i Partisë Demokratike nga zgjedhjet e 11 majit, rrëfeu sot para trupës gjyqësore se nuk e di personin që ka porositur atentatin.
Ai ka rrëfyer me detaje sesi ka ndodhur ngjarja dhe si arriti t’i shpëtonte plumbave. Ndoja thotë se “kam pasur vetëm një problem deklaratat e dy politikanëve në atë kohë”.
“Në 2019 kam banuar më Tiranë. Në punë kam qenë më Durrës. Në gusht të 2019 kam banuar në Shëngjin, pjesën tjetër në Tiranë. Kemi pasur një Mercedes Benz në përdorim si familje. Ajo ka qenë në emër të gruas. Në tetor 2019 këtë makinë e drejtonte Andi Maloku pasi e punësova unë. Ai ka qëndruar me mua rreth 1 muaj, sepse e kisha në provë.
Përveç ngjarjes, në 1 nëntor 2019 dhe një situatë tjetër për shkak të punës, skam pasur tjetër problem.
Ditën e atentatit kam dal si çdo ditë në orën 7 dhe në 8 kam qenë në Durrës, direkt në zyrë. Në orën 12 e gjysmë dola, pas një telefonate, te restorant ** për drekë me disa miq. Unë kam shkuar aty me mjetin tim. Në drekë ka qenë Aleksandër Laho, unë e njoh si Pëllumb Muharremi, pasi kështu e kam njohur kur isha avokat. Ka qenë Enver Shaba. Në drekë kemi ndenjur 2 orë e gjysmë, 3. Kur dolëm, Pëllumb Muharremi kishte një makinë dhe kemi ikur bashkë pasi bëra muhabet. Makina ka qenë e parkuar para lokalit, e dukshme. Drejtues mjeti ka qenë Andi Maloku, unë kam qenë në vendin e parë dhe pas Pëllumb Muharremi.
Në dalje të lokalit ka pasur persona, ne kemi qenë 4 veta duke bërë muhabet, kalonin njerëz por nuk me ka ngelur ndonjë në mendje nga ata që kalonin aty. Nga ura Dajlanit, kemi ikur në mbikalim, kemi vazhduar rrugën, sa kemi kaluar karburantin nisën të shtënat, në fillim se kam kuptuar. Plumbat fillimisht vinin nga pas dhe ka qëlluar në distancë. Nuk kemi arritur ta shohim makinën. Të shtënat kanë qenë të diferencuara, me plumb tek dhe jo vetëm, por jo në breshëri. Kanë qenë dy armë. Vetëm në sediljen time kanë qenë 13 predha. Të shtënat kanë zgjatur rreth 10 sekonda.
Pas të shtënave u ul shpejtësia nga i ndjeri dhe dolëm nga rruga. Unë tentova të dal nga makina humba ndjenjat nga një plagë dhe më pas u zgjova dhe me çuan në spital. Të tre u plagosëm. Personi që kishte pas mori plagë. Shoferi, i ndjeri kishte një plumb pas në shpinë. Mori në telefon të atin, filloi të dal nga makina dhe ndjeu që ishte rëndë. Unë nuk kam dijeni kush më ka qëlluar dhe nuk kam pasur problem dhe siklet me asnjë njëri. Unë kam pasur vetëm një problem deklaratat e dy politikanëve në atë kohë.
Të pandehurit në këtë gjykim nuk i njoh, vetëm njëherë e kam parë fizikisht Plaurentin, ndërsa të atin e Julian Meçes e njoh kam respekt por nuk e njoh. Unë nuk di arsye pse këta e kanë bërë. Vetëm ça kam lexuar në media. Mua më intereson arsye pse u bë ky atentat. Se duket si çudi, por unë skam pasur asnjë problematik, asnjë shkak të besoj që dikush do më bënte atentat. Edhe 6 vite pas atij atentati unë nuk e kuptoj pse ka ndodhur. Me Aleksandër Lahon u bë 5 vite që nuk e kam takuar dhe skam asnjë kontakt me të. Me Genc Malokun e takoj edhe sot e kësaj dite kemi marrëdhënie të mirë. Me Dorian Shabën nuk kam pasur asnjë kontakt dhe bisedë për ngjarjen. Unë nuk kam rreth shoqëror të përbashkët me Dervishajn dhe njëherë që e kam parë fizikisht por s’kemi asnjë lidhje. Le të thotë edhe vetë”-ishte dëshmia e tij.
Gjatë seancës, Ndoja është përballur me Plarent Dervishin, ndërsa ky i fundit e ka ‘akuzuar’ ish prokurorin se ka gisht në një atentat të bërë ndaj tij.
Dervishaj tha se ndaj tij ka ndodhur një atentat, 4 muaj para atentatit që iu bë prokurorit në autostradën Tiranë-Durrës.
Dervishaj: I vetmi konflikt që ti ke pasur thua që ka qenë ai me dy politikanë. Sipas teje, nuk ka arsye, nuk njihemi, nuk kemi konflikte. A ke informacione ti, që unë kam dhënë porosinë për të të vrarë?
Arjan Ndoja: Kam dëgjuar shumë për ty, edhe nga shtypi. Por këto të dëgjuarat i marr me rezerva. Unë po të shoh në sy.
Plarent Dervishaj: Në sy të shoh dhe unë.
Ndoja: E shoh, je trim ti.
Plarent Dervishaj: Ti kujton se po të kesh gisht ti tek atentati im, do të ta fal?
Ndoja: Cilin atentat
Plarent Dervishaj: Atentatin tim, ka ndodhur nja 4 muaj para teje.
Ndoja: Unë kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin.
Pas Plarent Dervishit, edhe Julian Meçe është përballur në sallën e gjyqit me Arjan Ndojën. Ky i fundit është pyetur edhe për letrën anonime që i ka ardhur poshtë derës, pas atentatit. Ndoja ka deklaruar se te letra që i ka ardhur, nuk kishte asnjë të dhënë, ndërsa Meçaj e ka pyetur nëse këto letra ia ka dorëzuar organeve. Përgjigja e ish prokurorit ishte mohuese.
Avokati Isuf Shehu, mbrojtësi i Julian Meçaj: Pse e ke këshilluar babain e Julian Meçaj?
Ndoja: Përderisa unë kam marrë plumba dhe nuk i jam debitor askujt, i thashë Basir Meçes, shiko se na kanë ardhur plumba, nuk i meritojmë. Ia kërkova Basirit ta hiqte djalin ta çonte jashtë si mik, si prind. Unë mendoj se po na bënin intriga. Përhapja e një të gënjeshtre si e vërtetë është intriga.
-Letra anonime poshtë derës, pas ngjarjes. Dyshohet se ti si prokuror, ke ndërhyrë në një çështje ligjore.
Ndoja: Te letra që më erdhi nuk kishte asnjë të dhënë, asgjë të shënuar, as procedimi. As nuk dihet kush e solli atë letër. E mendova thirra Basirin, ia tregova se çfarë mendoja.
Julian Meçaj – Arjan Ndoja:
-Në 2001 ke filluar punë. Të kanë ardhur disa letra anonime? Si prokuror, a ia keni dorëzuar organeve?
-Ndoja: Jo.
-Meçe: Ti thua nëse do kishe borxh, do e shlyeje medoemos. Si do e ktheje?
Gjykata e refuzon pyetjen.
Debate në sallën e gjyqit. Julian Meçaj, ish- prokurorit:
-Katolikët e Shkodrës deri te katolikët e Pogradecit, trafikantëve u ke qethur lesht.
SPAK: Në vitin 2019, cili ka qenë pozicioni juaj?
Ndoja: Prokuror.
Top Channel