
Beteja e rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës nuk i dha mandatin e deputetit, siç Ilir Alimehmeti besonte.
Hapja sërish e kutive i uli dhjetëra vota kandidatit demokrat, pasi u vlerësuan si të pavlefshme. Por Alimehmeti akuzon Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ se është bërë pjesë e manipulimit të rezultatit, me leximin e gabuar të fletëve të votimit.
“Ata që janë mësuar të fusin duart, vazhdojnë të ndikojnë numëruesit. KAS i quan vota të shtuara ato vota që me vendim administrativ ka ndërhyrë te vullneti i qytetarëve, të cilët kanë votuar te mbiemri, si me sistemin e vjetër zgjedhor. Pra, kur këto vota duhet të ishin të vlefshme!”, thotë Alimehmeti.
Në vazhdën e parregullsive të zgjedhjeve, e cilëson procesin e rinumërimit mjeku që kandidoi për deputet. Si dhe shpreh pakënaqësi për sistemin elektoral, që edhe pse ndër më të votuarit në PD, nuk do të jetë në Parlament.
Alimehmeti tregon për Top Channel edhe nevojën për analizën e brendshme: “Parimi duhet të jetë që në Parlament përfaqësues duhet të jenë më të votuarit. Por ky sistem nuk e lejon.”
Mendoni se duhet të kishit mbështetje më të madhe nga struktura e partisë?
“Kjo është pjesë e analizës së kandidatit apo edhe në nivel qarku. Por gjithmonë ka vend për më mirë.”
Megjithëse Alimehmeti nuk shfaqet i penduar për rrugëtimin politik deri më tani, e duket se ka plane për të ardhmen: “Njerëzit pa plane nuk mund të funksionojnë. Në momentin e duhur do i ndaj!”.
Top Channel