Fiks Fare/ 48-vjeçari shantazhohet me publikimin e videove intime: Para çdo muaj, ose të shpërndamë videon

26/06/2025 20:55

Një 48-vjeçar nga Thumana ka rënë viktimë e një skeme shantazhi seksual online.  

Ai  ka shkëmbyer materiale intime me një person që iu prezantua  nga Elbasani dhe më pas  është kërcënuar dhe detyruar të dërgojë shuma parash për të mos iu publikuar videoja.

Sipas dëshmisë së qytetarit, historia nisi me një mesazh të thjeshtë në Messenger, nga një vajzë që i ishte prezantuar nga Elbasani dhe 38 vjeçe. Komunikimi fillimisht ishte miqësor, por më vonë ajo nisi të dërgonte video intime dhe e nxiti edhe qytetarin të bënte të njëjtën gjë.

“Unë i tregova që jam i martuar dhe kam tre fëmijë, por ajo nuk ndalej. Më shkruante orë pa orë, derisa një ditë, për të më lënë rehat, i dërgova një video intime timen,” rrëfen 48-vjeçari.

Nga ai moment, gjithçka ndryshoi. Filluan mesazhet kërcënuese. I kërkonin para në këmbim të mos publikimit të videos në rrjetet sociale apo shpërndarjes së saj te të afërmit e miqtë e denoncuesit. “Deri tani i kam dhënë 400 euro. Më ka kërkuar edhe 200 euro të tjera në muaj, me arsyetimin se i duheshin për motrën e sëmurë,” thotë ai, ndërsa tregon se pagesat i ka kryer nëpërmjet shërbimeve të transfertave monetare jashtë vendit.

Numri i kontaktit që i dërgon mesazhe ka prefiksin ndërkombëtar +22, që i përket Bregut të Fildishtë, në Afrikën Perëndimore. Viktima thotë se ka fshirë bisedat nga Messenger-i për shkak se telefonin e përdorin edhe gruaja dhe fëmijët, pasi është i vetmi me akses në internet në familje. Por mesazhet në ËhatsApp vazhdojnë të mbërrijnë përditë, ku i kërkohen para dhe e kërcënojnë me shpërndarjen e videos.

“E di që kam gabuar rëndë. Kam qenë shembull në familje dhe në fshat. Por tani nuk fle dot, nuk ha dot. Hyj në banjë dhe qaj me zë, nuk di kujt t’i tregoj. Kam shumë frikë, por nuk kam më para,” thotë i dëshpëruar.

Me ndihmën e gazetarëve të emisionit investigativ “Fiks Fare”, qytetari ka bërë kallëzim pranë Seksionit për Krimin Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ndërkohë, autoritetet po ndjekin procedurat për të identifikuar autorët dhe për të bllokuar përhapjen e mëtejshme të përmbajtjes intime.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel