“Sulmet amerikane nuk e shkatërruan programin bërthamor”/ Vlerësimi i Pentagonit: Irani u kthye disa muaj pas! Reagon Shtëpia e Bardhë: Po përpiqeni të poshtëroni Presidentin

25/06/2025 07:56

Një vlerësim i inteligjencës së Pentagonit ka hedhur dyshime mbi pretendimet e administratës Trump se programi bërthamor iranian u zhduk pas bombardimeve të së shtunës.

SHBA goditi tre objekte bërthamore në Iran, Fordo, Natanz dhe Isfahan, me bomba shkatërruese të afta të depërtonin 18 metra beton ose 61 metra tokë përpara se të shpërthenin.

Por, burime të njohura me vlerësimin thonë se bazat e Iranit janë kryesisht “të paprekura” dhe ndikimi ishte i kufizuar në strukturat mbi tokë, raporton BBC. Hyrjet në dy objekte bërthamore u mbyllën dhe një pjesë e infrastrukturës u shkatërrua ose u dëmtua, por shumica e objekteve, të cilat janë thellë nën tokë, mbetën të paprekura.

Burimet anonime i thanë medias amerikane se vlerësohet se sulmi e ka shtyrë Iranin vetëm “disa muaj pas” dhe se çdo rifillim i programit të tij bërthamor mund të bazohet në kohën që i duhet vendit për të gërmuar dhe për të bërë riparime.

Burimet gjithashtu konfirmuan për CBS se një pjesë e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit ishte zhvendosur para sulmeve, sipas vlerësimit të inteligjencës.

Por në një reagim më pas, Shtëpia e Bardhë tha se vlerësimi është “krejtësisht i gabuar” dhe është “një përpjekje e qartë për të poshtëruar” Presidentin Trump.

Top Channel