Idhull i adoleshentëve të viteve 70′, ndërron jetë në moshën 81-vjeçare këngëtari dhe aktori John Stamos

25/06/2025 17:47

Bobby Sherman, këngëtar dhe aktor, idhull i adoleshentëve në vitet ’60 dhe ’70, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.

John Stamos ndau lajmin për vdekjen e Sherman në Instagram, ndërsa TMZ konfirmoi se ai humbi betejën me kancerin në shtëpinë e tij në Encino, Kaliforni.

Bashkëshortja e tij, Poublon Sherman, postoi lajmin në Instagram duke shkruar: “Me zemër të thyer ndaj lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëshortit tim të dashur, Bobby Sherman. Ai iku nga kjo botë duke më mbajtur dorën – ashtu siç mbajti jetët tona me dashuri, guxim dhe hir të palëkundur gjatë 29 viteve tona të bukura të martesës. Unë isha Hirushja e tij dhe ai ishte Princi im i mrekullueshëm. Edhe në ditët e tij të fundit, ai mbeti i fortë për mua. Ky ishte Bobby – i guximshëm, i sjellshëm dhe plot dritë.”

Kush ishte Bobby Sherman?

Robert Cabot Sherman Jr. lindi në Santa Monica dhe studioi vokal, ndërkohë që luante futboll në shkollën e mesme në Van Nuys. Pas shkollës së mesme, ai ndoqi studimet e psikologjisë në Pierce College, por jeta e tij ndryshoi kur një mik e ftoi në një festë aktorësh për filmin “The Greatest Story Ever Told” në vitin 1965.

Gjatë festës, Sherman u ngjit për të kënduar me grupin dhe aktorët Natalie Wood, Jane Fonda dhe Sal Mineo iu afruan duke i thënë se dëshironin ta ndihmonin në karrierën e tij. Sherman kishte publikuar disa këngë në etiketa të vogla që në fillim të viteve 1960, ndërsa Mineo shkroi dhe prodhoi për të këngën “Nobody’s Sweetheart”. Aktorët i gjetën edhe një agjent dhe ai u bashkua shpejt me kastin e shfaqjes televizive “Shindig!”, ku këndoi hite të tjera.

Në vitin 1968, Sherman luajti në sitcom-in “Here Come The Brides” dhe u shfaq si i ftuar në seriale si “The Monkees,” “The FBI” dhe “Mod Squad.” Ai e ndau kohën mes aktrimit dhe muzikës, duke arritur sukses të madh. Kënga e tij “Little Woman” në vitin 1969 arriti vendin e tretë në Billboard Hot 100, ndërsa hite të tjera si “La La La (If I Had You),” “Easy Come, Easy Go” dhe “Julie, Do Ya Love Me” u renditën në top 10.

Sherman ishte shumë i dashur nga adoleshentët dhe portretizohej shpesh në kopertinat e revistave si Tiger Beat dhe 16. Megjithatë, fama e tij ishte e përkohshme dhe më vonë ai u tërhoq nga skena e argëtimit.

Jeta pas karrierës së famshme

Pas tërheqjes nga muzika dhe filmi, Sherman u trajnuar si ndihmës mjekësor dhe më pas punoi si instruktor për Departamentin e Policisë së Los Angeles. Herë pas here, ai u kthye për role të vogla në seriale televizive si “Murder, She Wrote” dhe “Frasier.”

Ai gjithmonë shprehu pasionin e tij për kujdesin mjekësor: “Nëse do të kisha një dëshirë, do të doja që çdo burrë, grua dhe fëmijë të mësonte ndihmën e parë dhe CPR-në. Funksionon dhe nuk e di kurrë se kur do të të duhet të ndihmosh dikë,” thoshte Sherman.

Në nderim të karrierës dhe jetës së tij, kujtimi i Bobby Sherman do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat e adhuruesve të tij dhe të familjes që la pas.

Top Channel