“S’ia kam borxh kujt këtë lloj pisllëku”/ Braçe i revoltuar me votat që iu shpallën të pavlefshme gjatë rinumërimit: Vullneti i qytetarëve ia bën ‘muuu’

24/06/2025 13:29

Deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur indinjatë për disa vota që janë shpallur të pavlefshme, nga grupet e rinumërimit.

Teksa ka shpërndarë në rrjetet sociale foto të disa votave, ku kryqi nuk është vendosur në kutinë përkatëse, por në të djathtë të emrit të tij, Braçe thotë se këto vota po shpallen të pavlefshme padrejtësisht. Sipas tij, në këto vota, vullneti i votuesve është i qartë.

Turpi i numërimit. Këto janë vota të PS dhe të miat, shihini. Po i shpallin të pavlefshme. Të gjitha të vlerësuara gjatë numërimit nga KZAZ në bazë të një manuali të KQZ, që tani nuk është më gjëkundi,

Nuk ia kam borxh kërkujt këtë lloj pisllëku, shoqëruar me shënimin ‘vota më shumë’ dhe nënkuptimin ‘të vjedhura’. Janë vota të pastra që KAS po i kthen në të pavlefshme. As ia kam marrë kujt, as ia kam vjedhur kujt. Është vota, ku është shprehur vullneti i votuesit. Nuk e di si e kanë planin, kujt KAS po kërkon t’ia heqë këto vota, pra kujt do t’ia marrë mandatin, por ia bën muuuuuu që ky është turp”, shkruan Braçe”.

Nga numërimi i votave në qarkun e Fierit, deputeti socialist grumbulloi 8464 vota. Ndërkohë që nga procesi i rinumërimit që po vijon në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, Braçe rezulton me 77 vota më shumë në procesverbalë se sa kishin në kutinë e votimit. Deri më tani, ai numëron 8387 vota.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel