
Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin e nivelit të lartë të NATO-s, që po zhvillohet në qytetin e Hagës, në Holandë, më 24 dhe 25 qershor.
Në qendër të këtij samiti janë diskutimet për përforcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e shpenzimeve të përbashkëta dhe sfidat e sigurisë rajonale dhe globale.
Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në këtë takim pritet të jenë edhe Igli Hasani, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme; Pirro Vëngu, Ministër i Mbrojtjes; Vlora Hyseni; Arben Kingji, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ku në qendër të bisedimeve pritet të jetë siguria në Ballkan dhe më gjerë.
Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, do të marrin pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima e Holandës, në Pallatin Mbretëror “Huis ten Bosch”. Të pranishëm në këtë aktivitet do të jenë të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në samit, përfshirë liderët e SHBA-së, BE-së, si dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Mbi 10 mijë oficerë sigurie janë angazhuar për mbarëvajtjen e Samitit, duke u angazhuar me forca tokësore, helikopterë dhe patrullime në det, ndërsa me interes priten punimet e së martës, ku do të vendoset për një qasje të re të mbrojtjes nga aleatët, në një kohë me disa konflikte ushtarake në Lindjen e Mesme dhe luftës 4-vjeçare në Ukrainë.
Top Channel