Dhuratat janë “të ndaluara” në dasmën e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, shihni ftesën shumëngjyrëshe me flutura dhe gondola

24/06/2025 20:39

Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez po përgatiten të ngjiten në kishë dhe po u kërkojnë të ftuarve të tyre të sjellin… shpirtrat e tyre më të mirë, por jo dhurata.

Çifti, i cili do të martohet pas pak orësh në Venecia, kishte një kërkesë për të ftuarit e tyre, të cilën e përmendën në ftesën e dasmës.

ABC News arriti të siguronte ftesën, e cila shkruante, ndër të tjera: “Jemi të emocionuar që ju kemi me ne! Kemi vetëm një kërkesë të hershme: ju lutem, mos jepni dhurata. Në vend të kësaj, po bëjmë donacione në nderin tuaj dhe në mirënjohje për udhëtimin tuaj në Venecia për të festuar me ne.”

Ftesa, e dërguar mysafirëve në maj, përfshin tre organizata bamirësie që janë veçanërisht të rëndësishme për Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez. “Dhurimet po bëhen në emrin tuaj për Zyrën e UNESCO-s në Venecia, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të pazëvendësueshme të qytetit”, shënohet në ftesë.

Përveç kësaj, donacionet po bëhen për CORILA-n, për të restauruar ekosistemet e lagunës që mbrojnë të ardhmen e Venedikut, dhe për Universitetin Ndërkombëtar të Venedikut, për të mbështetur kërkimin dhe edukimin në zgjidhje të qëndrueshme. Ky veprim pasqyron dëshirën e çiftit për të kontribuar në mënyrë që të tjerët të mund të përjetojnë magjinë e qytetit italian.

“Ky vend magjik na ka dhënë kujtime të paharrueshme”, thonë ata në një letër personale drejtuar mysafirëve, duke shtuar: “Shpresa jonë është që, nëpërmjet këtyre përpjekjeve dhe me praninë tuaj, Venecia të vazhdojë të frymëzojë admirim për shumë breza që do të vijnë”.

Emrat e mysafirëve të famshëm janë publikuar tashmë, përfshirë Tom Brady, Kim Kardashian, Kris Jenner dhe Eva Longoria. Eventi tre-ditor pritet të fillojë të enjten, me ceremoninë e dasmës që do të zhvillohet të premten në Bazilikën e San Giorgio Maggiore dhe festën e madhe të planifikuar për të shtunën.

Sa i përket vetë dasmës, një burim i tha Us Weekly se Lauren Sanchez do të veshë krijime të personalizuara nga Dolce & Gabbana, të dizajnuara për t’iu përshtatur çdo momenti të veçantë të festimit shumëditor. “Do të jetë një dasmë e madhe”, komentoi i njëjti person, duke shtuar: “Një dasmë shumë italiane”.

Vëllai i Lauren Sanchez, Paul, kishte lënë të kuptohej gjithashtu në deklarata për TMZ se ceremonia mund të krahasohej në madhësi dhe detaje me “dasmën e shekullit” të famshme të Princeshës Diana dhe Charles.

Top Channel