Mjeshtri i thurjes në Korçë/ Për më shumë se gjysmë shekulli, Avni Kallo ka siguruar jetesën me këtë zanat

22/06/2025 19:57

Në një kohë kur shumë nga mjeshtëritë artizanale po veniten përballë teknologjisë dhe prodhimit masiv, Avni Kallo  është ndër të paktët që i qëndron besnik një mjeshtërie të lashtë, thurjes me thupër.

Për më shumë se gjysmë shekulli ky zanat ka qenë jo vetëm pasion por edhe mënyra me të cilën ka siguruar jetesën. Punishtja e tij është dëshmi e përkushtimit ndaj punës së dorës.

Aty gjen nga kanistrat e thjeshta, shportat e mëdha, orenditë shtëpiake e deri tek elementet dekorativë, të gjitha të punuara me durim, dashuri dhe mjeshtëri të rrallë. Zanatin e mësoi nga i ati e më pas u kthye në një mësues për të tjerët.

Në Korçë tani kanë mbetur vetëm 4 mjeshtra të thurjes me thupër dhe interesi i të rinjve për ta mësuar këtë zanat thuajse ka humbur por Avniu shpreson së paku që kjo traditë të mos zhduket

I gatshëm të japë mësime, të tregojë teknikat dhe sekretet e zanatit, Avniu është dëshmi sesi një material i thjeshtë si thupra mund të kthehet në art me vendosmëri, durim dhe ndjeshmëri estetike.

Top Channel