
Vajza e gra në profesione të ndryshme që i bashkon dëshira për të udhëtuar… edhe me njerëz të panjohur.
Nga vizita kulturore në Apolloni deri te përvoja në peshkim, me dëshirën për eksplorim dhe pavarësi, një grup vajzash u bënë pjesë e një pakete turistike “solo female travelers”, që po përpiqet të kthehet në një trend të ri në Shqipëri.
Ky është një hiking tërësisht ndryshe, i gjithë qëllimi të forcojë edhe më shumë gratë shqiptare. Kombet e Bashkuara në Shqipëri synojnë të sjellin turizmin gjinor, dhe kjo nëpërmjet udhëtimit të grave në shtigjet e Llogarasë.
Gentiana Susaj- vizitore: Më pëlqen të udhëtoj, por nuk është e zakonshme të udhëtoj vetëm, më pëlqen më shumë në grup. Megjithatë kur kam jetuar jashtë ishte mjaft e njohur jashtë. Këtu ka pasur pak sfidë me sigurinë, por ka ndryshuar.
Albiona Muçoimaj- guidë turistike: Gratë e vajzat që udhëtojnë vetëm për mua është dicka shumë e bukur e duhet promovuar se tregu ka më shumë nevojë për paketa të tilla që të kenë në fokus gruan, e pse jo këto më vonë të bëhen pjesë e normalitetit.
Frymëzuar nga turistet e huaja që prej vitesh vizitojnë vendin tonë të vetme dhe ndihen të mirëpritura, gjithnjë e më shumë vajza shqiptare po marrin guximin të udhëtojnë të vetme. Këtë ndryshim e vë në dukje Esteri që nga Holanda prej 8 vitesh jeton në Shqipëri..
Ester Klaassen- turiste: Udhëtoj shpesh vetëm. Çdo ditë në mal është një mrekulli. Përpiqem dy tre herë në muaj të shkoj diku për të shijuar natyrën e Shqipërisë. Është interesante se njerëzit kur më shohin më pyesin: Pse je vetëm? Ka një lloj lirie kur udhëton vetëm.
Ajo që dikur shihej me habi, sot po shndërrohet në një mënyrë të re pushimi.
Micheer – turiste: Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, duke udhëtuar nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, është larmishmëria e gjërave që mund të përjetosh. Por e përbashkëta kudo jan֝ë njerëzit. Shqiptarët janë të dashur, mikpritës dhe shumë miqësorë. Kudo që të shkosh, të presin me buzëqeshje.
-A është e sigurt të udhëtosh vetëm?
Është gjithmonë pak e rrezikshme të udhëtosh vetëm, sidomos si grua, në çdo vend të botës. Por në Shqipëri, zakonisht ndihem mjaft e sigurt. Edhe kur njerëzit nuk flasin anglisht, ata sërish përpiqen të ndihmojnë me zemër.
Dhe ja pasi kaluam mes përmes pyllit të Llogarasë, arritëm në pikën më të lartë të Qafës së Thellë që shkon deri në 1250 m lartësi dhe ku ndamë një eksperiencë fantastike me gra e vajza shqiptare e të huaja që nuk njiheshim më parë me njëra tjetrën por ja dolëm të shijojmë këtë pamje mbresëlënëse të detit JON.
Julinda: Është eksperiencë shumë e bukur se njeh njerëz të rinj edhe kalon kohë me veten… kur ju them prindërve që do shkoj diku me njerëz që nuk i njoh në fillim ju duket e çuditshme: Si do shkosh?! Se nuk i kanë jetuar këto gjëra… ndërsa për sa i përket shoqërisë gjithnjë e më shumë po shtohen vajza që duan të udhëtojnë vetëm!
Top Channel