“Murtaja po zmbrapset”, i nxehti dhe asgjësimi i kafshëve të infektuara po e ulin valën e infektimeve

21/06/2025 15:18

Temperaturat e larta dhe masat e biosigurisë në ferma po parandalojnë përhapjen e murtajës tek bagëtitë e imta.

Infeksioni që i merr jetën deleve dhe dhive deri më tani është përhapur në shtatë vatra dhe nëntë ferma. Nëse fermerët bashkëpunojnë më veterinerët e zonës, jo sëmundje mund të marrë fund para shtatorit, por deri atëherë  shtegtimi dhe tregtia e gjësë së gjallë duhet të ndalohet.

“Rastet janë të rënie, por rreziku mbetet prezentë. Dua t’i bëj thirrje fermerëve se janë ata të parët që mund ta parandalojnë murtajën të mos shkojnë në ferma të tjera, të mos bashkojnë tufat si dhe të ndalojnë tregtinë e kafshëve të gjalla”, tha Gwzim Biçaku, drejtor i DRVMB Tiranë.

Një dele apo dhi e prekur nga murtaja dallohet fare lehte edhe nga blegtori pasi shenjat klinike janë të dukshme duke filluar që nga kollitja, shterimi qumështit dhe rënie e peshës. Kafshët e rezultuara me murtajë duhet të asgjësohen menjëherë.

“Ka disa shenja tipike që tregojnë që kafsha është e prekur nga murtaja, rrjedhja e hundëve, anorte, teshtima, e nëse fermerët i shohin këto shenja duhet të lajmërojnë më njëherë shërbimin veterinar”, tha Biçaku.

Edhe pse murtaja është një sëmundje që nuk infekton njerëzit, mishi dhe qumështi nuk duhet të konsumohet nga njerëzit. Bagëtia e imët që preket nga murtaja e ruminantëve pasi eliminohen me pistoletë nga veterinerët, ato digjen në temperatura të larta. Kështu produktet me origjinë shtazore janë të sigurta

“Të gjitha ato kafshët që rezultojnë pozitive me këtë infeksionin merren nga një kompani dhe i nënshtrohen procesit të renderingut, përpunimit. Konsumatori shqiptarë duhet të qëndrojë i qetë se asnjë kafshë e infektuar nuk hidhet në treg”, u shpreh drejtori i DRVMB.

Deri më tani numri i deleve dhe dhive që janë asgjësuar ka shkuar në 1164 krerë, vatra e më e re e infektimi është shfaqur 24 orë më parë në Zallbastar të Tiranës.

 

Top Channel