
Partia Socialiste ka kërkuar nga KAS që gjatë procesit të rinumërimit të llogariten si vota për kandidatët edhe rastet kur x ose y është vendosur jashtë kuadratit në fletë, por përbri tij.
Pas shqyrtimit, KAS ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste.
Anëtari i KAS, Ledio Braho, shpjegoi se përse u rrëzuar kërkesa e PS-së:
“Kërkesa e Partisë Socialiste kishte dy elementë. Elementi i parë kishte të bënte me faktin që i kërkonte KAS që të ndryshonte standardin e vlerësimit të votave për listën preferenciale të kandidatëve, kur shenja është vendosur jashtë kuadratit të kandidatëve. Elementi i dytë ishte që ishte i paqartë në qoftë se ky vlerësim i ndryshëm duhet të cenonte standardin e ndjekur deri tani, apo nënkuptonte që edhe ato treqind kuti që janë hapur deri tani duhet të rinumërohen dhe një herë nga fillimi, në qoftë se do të ndryshonte ky standard. Kështu që për ne të dy elementët konsiderohen jo normal në këtë proces e para, sepse nuk mund ta ndryshojmë standardin në proces. E dyta është që nuk mundet që këto treqind kuti që janë hapur deri tani të rivlerësohen dhe njëherë vetëm sa i përket këtyre votave. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, ne vijojmë të qëndrojmë mendimit se vota duhet vlerësuar me objektivitet sa i përket kandidatit.
Edhe manuali i miratuar nga komisioni rregullator, sepse për vlerësimin e votave ne bazohemi tek udhëzimi i nxjerrë nga komisioni rregullator. Udhëzimi është i qartë për ato shembuj që ka, që kur kryqi i vendosur në kolonën e një subjekti, nuk është brenda, kuadratit që është për kandidatët, atëherë vota konsiderohet e vlefshme vetëm për subjektin zgjedhor dhe ne pikërisht këtë qëndrim kemi mbajtur. Pra, nuk e kemi konsideruar votën të pavlefshme, por e kemi konsideruar si votë vetëm për subjektin zgjedhor. Ndërkohë që për kandidatët, në qoftë se nuk është në kutinë përkatëse të kandidatit, ajo nuk mund të llogaritet si votë e kandidatit. Pra, ne i kemi qëndruar vlerësimit objektiv, sepse duhet të kemi parasysh që fleta e Tiranës, në ndryshim sidomos nga qarqet e tjera, i ka kandidatët shumë afër dhe një kryq i vendosur në krahë të djathtë e bën të paqartë se për cilin kandidat është momenti që ajo nuk është e vendosur në kuadrat. Dhe pikërisht për të mos lejuar subjektivizëm, në raport me kandidatët, duke qenë se edhe pretendimet kryesisht janë ngritur nga kandidatët lidhur me këtë pjesë, kemi menduar që vota duhet të vlerësohet me sa më objektivitet. Megjithatë, duhet të kemi një gjë të qartë, kjo vendimmarrje e sotme ishte vendim i ndërmjetëm i KAS, i cili mund të ankohet më tej si nga Partia Socialiste apo edhe nga parti të tjera në Kolegjin Zgjedhor, bashkë me vendim përfundimtar. Në qoftë se kanë pretendime, mund t’i kërkojnë kolegjit që t’i rihapë dhe njëherë kutitë dhe t’i vlerësojë këto vota sipas asaj që pretendon Partia Socialiste”, tha Braho.
Top Channel