
Lodhje, lodhje dhe përsëri lodhje. New York Times madje ka numëruar sa herë ka përmendur fjalën “punë”: plot 32 herë për më pak se një orë konferencë shtypi, kur mbërriti te Chelsea.
E quajnë çekiçi, radikali, nënoficeri i hekurt. Por, kur flet për veten, Antonio Conte, me vajzën e tij Vittoria që e shikon nga afër, duket si një tjetër njeri. Pas ashpërsisë, zbulohet ndjeshmëria e njeriut. Rigoroz, para së gjithash me veten e tij (“Jam rritur në rrugët e Leçes, dhe atje duhet të mësosh të përballesh me gjithçka. Prindërit më mësuan se, nëse do të kërkosh, më parë duhet të japësh”), shikimi dhe fjalët zbulojnë thelbin e vërtetë të një sportisti që futbolli i ka dhënë gjithçka, por që nuk ka harruar kuptimin e plotë të jetës.
Po bie shi i rrëmbyeshëm në Pinetina. Nuk ka asnjë qëllim ta ndalë seancën, por në një moment vendos të vrapojë bashkë me lojtarët. “Sepse në punën tonë, por edhe jo vetëm, shembulli është thelbësor. Nëse kërkon 100 për qind, duhet të jesh i gatshëm të japësh 110 për qind. Vetëm atëherë bëhesh i besueshëm.”
Kjo është metodologjia e tij, e ndërtuar nga suksese dhe humbje, nga gëzime dhe hidhërime, nga punë. Ai e tregon këtë në librin “Të japësh gjithçka, të kërkosh gjithçka”, shkruar me Mauro Berruto dhe me bashkëpunimin e Giulia Mancini (Mondadori): “Vështirë që kur përfundon një ndeshje dhe jemi në konferencë për shtyp të kemi kohë të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë. Rrëfimi përqendrohet vetëm te ndeshja.”
Pse vendosët të shkruanit një libër për veten, për trajnerin që u bë ai djaloshi nga Lecce që në moshën 21-vjeçare luante me yje të Juventusit si Baggio apo Schillaci, të cilëve u fliste me “Ju”?
“Nuk doja të ishte një tjetër autobiografi, që të flisja gjithmonë për ndeshje, fitore apo humbje. Mendova që njerëzit tashmë i dinë të gjitha këto. Doja të tregoja thelbin tim, mënyrën se si menaxhoj një grup, si jam në të vërtetë. Mora një vit pushim pas Tottenham-it, dhe pata kohë për të shkruar. Me fjalët e mia dhe me ndihmën e Marco Berruto, një shok shumë i mirë në këtë udhëtim. Libri ishte gati që në mars, por ishte në lojë titulli kampion, ndaj vendosëm të presim.”
A jeni me të vërtetë një nënoficer i hekurt?
“Ka momente kur duhet të jesh më i rreptë, më i ashpër, sepse situata e kërkon, por ka edhe raste kur bëhesh si vëlla i madh, si një baba. Në rolin e liderit do të ishte shumë e lehtë të imponosh idetë e tua, të japësh vetëm urdhra. Por sfida e vërtetë është të gjesh mënyrën që të tjerët të kuptojnë rëndësinë e asaj që po u kërkon dhe të të ndjekin. Gjithçka bazohet te shembulli. Rrit ritmin dhe pastaj e ngadalëson, pika e ekuilibrit është çelësi i gjithçkaje. Vlen për lojtarin, terapistin, magazinierin, kopshtarin. Në një klub, nga i pari te i fundit, të gjithë duhet të jenë pjesë e një mekanizmi që punon për përmirësim të vazhdueshëm. Shembulli i të bërit është baza e gjithçkaje. Është e pashmangshme që, kur gjërat nuk shkojnë siç duhet, unë zemërohem – madje shumë.”
Flisni për “zemërime artificiale”. Për çfarë e keni fjalën?
“Për të vetmet raste kur vendos një maskë. Më ka ndodhur te Juventusi: po fitonim 2-0, por ndjeja që diçka nuk shkonte. Gjatë pushimit hyj në dhomën e zhveshjes dhe hedh një shishe plastike drejt tabelës dhe nis të bërtas. Shumë më morën për të çmendur, por ai rezultat mund të ndryshonte nëse nuk vazhdonim me të njëjtën uri dhe përqendrim. Aftësia qëndron te ndjeshmëria për të kuptuar rrezikun dhe për të ndërhyrë.”
Komplimentet apo shpërthimet – i mendoni paraprakisht apo i bëni me instinkt?
“Është e pamundur të mos jem vetvetja. Nuk kam filtra. Të bësh gjëra të menduara më parë në mënyrë artificiale nuk është natyra ime. Nuk kam shkruar apo përgatitur ndonjëherë një fjalim për lojtarët një ditë më parë. Kam kampionë përpara, ata do ta kuptonin menjëherë që nuk vjen nga zemra.”
Përmendët Juventusin, historinë tuaj si lojtar dhe trajner. Por, a është e vërtetë që nuk keni pasur kontakte pas titullit me Napolin?
“Nuk kam pasur kontakte me askënd, sepse kujtdo që më është afruar përmes palëve të treta i kam thënë gjithmonë se do flisja me klubin në fund të sezonit, siç bëhet gjithmonë. Dhe vetëm nëse takimi nuk do të na kënaqte të dy palët, do hapesha për një tjetër mundësi, gjithmonë duke qenë se kam kontratë me Napolin për edhe dy vite të tjera.”
(Vajza e tij, Vittoria, e dëgjon dhe ndoshta ai flet pak për të dhe pak për ne)
“Kam pasur një edukatë shumë të rreptë. Ne jemi ajo që marrim nga familja jonë. Në këtë kohë, familjet po mungojnë gjithnjë e më shumë. Edukimi, shpirti i sakrificës, vlerat – janë duke u humbur. Vittoria e di kush jemi, si sillemi, ka të njëjtat parime me ne. Jemi një familje pa dyshim e mirëqenë, puna na ka dhënë një status të pasur, por e dimë vlerën e parasë. Gjërat fitohen me lodhje, me përkushtim. Me sakrificë, me heqje dorë.”
Sakrifikimi më i madh?
“Puna më çon shpesh larg familjes. Të mos e shihja çdo moment të rritjes së vajzës sime ishte një privim i madh. Ta shohësh papritur të rritur të bën të kuptosh me dhimbje që ke humbur disa pjesë të rrugës. Për çdo gjë ka një çmim për të paguar. Ja pse e shkrova këtë libër: për t’i dhënë edhe më shumë dinjitet kuptimit të punës. Lodhja është një ilaç edhe kundër stresit mendor.”
Duke folur për stresin – çfarë ndodhi me atë pasim të gabuar në Monako?
“Ndodhi që në ndeshjen time të parë si titullar me Juventusin u gjenda në faqen e parë të një gazete kombëtare me titullin: Në Principatë gabon Conte. Ishte ndeshja ime e parë e vërtetë dhe kisha bërë një gabim të rëndë. Nisa të dyshoja në aftësinë time për të luajtur në këtë nivel. Mendova edhe: ‘Kush ma deshi këtë punë?’ Në Lecce isha me miqtë, me familjen, shkoja në plazh deri në nëntor. Në Torino isha vetëm, 21 vjeç. Isha me idhujt e mi – Schillaci, Tacconi, Baggio – por në fillim ndihesha jashtë vendit. Po të më kishte thënë dikush atëherë se çfarë do të fitoja në 13 vite, do të thosha: ‘Ky është i çmendur’. Por pikërisht ai pasim i tmerrshëm më shtyu të reagoj. Trapattoni, një nga trajnerët më të mirë që kam pasur, më pa të trishtuar dhe më tha: ‘Mos po mendon ende për dje?’. Diçka më ndryshoi brenda. Nuk doja të kthehesha në Lecce si i mundur. Ja, unë mendoj që trajneri, siç bëri Trapattoni me mua, duhet të dijë të arrijë në zemrën dhe mendjen e lojtarëve. Këmbët ndoshta janë gjëja e fundit.”
E mendoni vërtet këtë?
“Gjatë stërvitjes duhet të përsëritësh, përsëritësh e përsëri përsëritësh gjestet, derisa ato të duken të thjeshta për këdo që i sheh. Vetëm ti e di sa mund është dashur për t’i realizuar. Trajneri nuk duhet të jetë i ashpër, por i drejtë. Më mirë një e vërtetë e hidhur sesa një gënjeshtër e bukur. Kurrë mos e mashtro një lojtar. Është e lehtë të thuash: ‘Ndeshjen tjetër do të luash ti’, edhe pse e di që s’është e vërtetë. T’i thuash të vërtetën do të thotë respekt.”
Të gjithë lojtarët që keni stërvitur ju njohin për karizmën tuaj të madhe, për mënyrën unike si u hyni në kokë, por asnjëri nuk thotë që stërvitjet tuaja janë të lehta. Çfarë bëni kur dikush ankohet?
“Një herë, kapiteni i Chelseat erdhi të më kërkonte të ulja ritmin, të bënim më pak analiza me video. Pranova, duke respektuar kulturën e tyre, mënyrën ndryshe si e jetojnë futbollin. Kur je në një vend tjetër, duhet të kesh kujdes të mos e përmbysësh gjithçka. Dhe ja, humbëm dy ndeshje radhazi dhe rrezikova të shkarkohem. Që atëherë mendova: nëse do të ‘vdes’ nga një vendim apo situatë, do ta bëj me mënyrën time, jo për shkak të të tjerëve. Kjo është metoda, trust in process, siç thonë anglezët. Të qëndrosh i palëkundur në zgjedhjet e tua. Kërkimi i miratimit nga të gjithë është një vetëdënim. Dhe kur mendoj për ashpërsinë e stërvitjeve, buzëqesh. Zidane dhe Del Piero stërviteshin shumë më fort se sot. Sot bëhet një e treta e asaj që bënim ne. Puna duhet natyrisht të lidhet me rezultatet – më ka ndodhur të stërvit ekipe që më pas kërkonin vetë të lodheshin më shumë. Kjo për mua do të thotë që kam arritur qëllimin.”
Kjo ndodhi në Napoli?
“Djemtë ishin gjithmonë të gatshëm, më ndoqën që nga dita e parë, dhe në fund arritën të kuptonin idenë e lodhjes dhe sakrificës. Sigurisht, në fillim kësaj skuadre i mungonte ajo që unë e quaj ‘thika në çorape’. Duhet egërsi sportive, duhet të hysh në luftë pa mëshirë. Pastaj e gjetën – përndryshe s’do ta kishim fituar kampionatin. Kur erdhi Carlos Tevez te Juve, e dinim që ishte një kampion i jashtëzakonshëm, por kishte një famë si djalë i vështirë për t’u menaxhuar. Pati një fillim të vështirë, por pastaj u bë shembulli më i mirë për të gjithë. Me secilin duhet të gjesh çelësin e duhur. Ndonjëherë më kushton edhe me zemërime të forta – por është në rregull. Shikoj te ana njerëzore dhe te objektivi.”
A ju ka ardhur ndonjëherë keq që keni reaguar me ashpërsi ndaj dikujt, që keni qenë tepër i rreptë?
“Përplasja e ashpër me një individ nuk është kurrë e lehtë. Nuk kam ndjerë kurrë kënaqësi që kam qortuar dikë – nëse e kam bërë, është sepse e kam konsideruar të domosdoshme, me keqardhje që s’kam gjetur një mënyrë tjetër për të arritur te ai. Por ndonjëherë duhet të ndiejnë se je shumë i zemëruar. Herën e fundit ndodhi këtë sezon me djemtë, pas humbjes me Como. Ishim 1-1 në pjesën e parë, ata fituan në të dytën sepse kishin më shumë uri. Ja, aty isha shumë i rreptë. Mund të humbasësh – por jo sepse të tjerët kanë më shumë ambicie, më shumë egërsi.”
Cila ishte ndeshja kur kuptuat se mund të fitonit titullin?
“Ajo me Interin – e rikthyem rezultatin, ishim pranë fitores. Për herë të parë thashë publikisht: ‘Nëse duam, mundemi’. Ishte një mesazh për djemtë e mi. Unë e besoja, duhet ta besonin edhe ata. Pastaj, në futboll gjithmonë ka të paparashikueshme. Barazimi me Genoan rrezikoi seriozisht titullin: mbrojtësi qendror ndërpreu një pasim në gjysmën e fushës, e pasoi dhe nisi të endet në zonën tonë. Topi përfundoi te mbrojtësi i majtë që arriti të krosonte edhe pse i bërtisja Politanos ta ndalonte krosimin, dhe Vásquez shënoi megjithëse ishte mes tre lojtarëve tanë.”
Më parë thatë që këmbët janë gjëja e fundit…
“Futbolli është gjeste dhe situata të memorizuara. Duhet t’i përgatitësh dhe t’i përforcosh mijëra herë. Dua që lojtari im ta luajë ndeshjen përpara se ta luajë vërtet, të njohë paraprakisht situatat. Sepse ka gjëra që nuk stërviten dot – janë ato që ndodhin në fushë. Por nëse e përsërit një gjest mijëra herë, do jesh i gatshëm. Shpresoj që kjo metodë të jetë frymëzim edhe në fusha të tjera të punës, për të zhvilluar edhe lidershipin personal.”
Që sot është një gjë e rrallë.
“Të jesh shembull, të vlerësosh aftësitë e veçanta duke shtyrë përpara kufijtë – sidomos ata që duken të pakalueshëm. Por nuk ka rrugë të shkurtëra.”
Sot trajneri është menaxhim dhe përgjegjësi…
“Trajneri është roli më i vështirë, sepse merr përsipër problemet e të gjithëve. Klubi i dorëzon një pasuri: pastaj është në dorën e tij nëse do ta zhvillojë, do ta shkatërrojë ose do ta lërë njësoj. Nuk është e lehtë, nuk do t’ia këshilloja këtë punë njerëzve që dua. Nëse nuk je i fortë, presioni të konsumon.”
A jeni një njeri i vetëm?
“E urrej të jem vetëm, por e di që vendimet merren ashtu. Megjithatë, stafi është i rëndësishëm. Më pëlqen të kem bashkëpunëtorë që nuk më thonë vetëm atë që dua të dëgjoj. Përplasja duhet të jetë e ndershme, vetëm ashtu është konstruktive. I dëgjoj të gjithë, por vendimi përfundimtar është i imi.”
Si vendimi për të qëndruar në Napoli. Apo ka merita edhe bashkëshortja juaj Betta?
“Familja është pikë referimi, por disa zgjedhje i bëj vetë. Gruaja ime, vajza ime ndihen shumë mirë në Napoli dhe kjo është e vërtetë. Por unë jam ai që duhet të stërvit çdo ditë një skuadër, ato nuk kanë lidhje me këtë.”
Po me De Laurentiis si shkuan gjërat?
“Në takimin tonë u sqaruam. Të flisnim ishte thelbësore. Ai kuptoi gabimet, ose më mirë situatat që duhen përmirësuar. Kam kontratë dhe sqarimi ishte pika kyçe. Pjesa tjetër ishin zëra që më lënduan – nuk morën parasysh si jam në të vërtetë.”
Keni shkruar: “Kush dorëzohet në stërvitje, dorëzohet në ndeshje. Mos e urre kundërshtarin, por humbjen. Dëgjo njerëzit, por jo pafundësisht. Përsërit, përsërit dhe përsërit. Ka rëndësi kush qëndron kur është e vështirë të qëndrosh. Stërvitja fillon nga mënyra si lidh këpucët. Me radhë: eksploro, studio, provo, gabo, korrigjo dhe vazhdo. Copëza fjalësh që ndihmojnë për të stërvitur dhe për të fituar pesë tituj kampion, qindra ndeshje. Për të çuar Napolin te titulli i katërt. Për të menaxhuar kampionë. Por edhe për shumë, shumë më tepër.” Conte, a ju pëlqen libri juaj?
“Po, më përfaqëson plotësisht. Një libër serioz, autentik. Me fjalët e mia, pa citime. Ka jetën time brenda.”
I lindur më 31 korrik 1969 në Lecce, Antonio Conte është i martuar me Elisabetta që nga viti 2013 dhe ka një vajzë, Vittoria, 17 vjeç. Në vitin 2008 u diplomua në Shkencat Motorike në Universitetin e Foggia-s me notën maksimale 110. Në librari ndodhet autobiografia e tij “Të japësh gjithçka, të kërkosh gjithçka” (Mondadori).
Pas debutimit në Serie A me Leccen, ai luajti për 13 sezone te Juventusi, ku fitoi 5 kampionate, Kupën UEFA (92-93), Ligën e Kampionëve (95-96) dhe Kupën Intertoto (1999). Trajner që nga viti 2005, ka fituar 3 tituj kampion me Juven, një me Interin dhe Premier League me Chelsean. Sapo ka fituar titullin me Napolin dhe do ta drejtojë edhe në sezonin 2025–2026. Me Kombëtaren italiane, si lojtar ka qenë nënkampion bote në 1994 dhe nënkampion Europe në 2000; si përzgjedhës, arriti çerekfinalen në Euro 2016.
Top Channel