“Çfarë pa kryeshërbëtorja”/ Komedia me regji të Kiço Londos vihet në skenën e Teatrit Kombëtar

19/06/2025 12:29

Një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat skizofrenike të një psikiatri, me një sekretare të zhveshur e të fshehur pas perdes, një profesor me fantazi surreale që prish rrjedhën e ngjarjeve, teksa një polic ndërhyn papritur.

Komeida e Joe Orton “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, produksion i Teatrit Skampa vjen në skenën e Teatrit Kombëtar, në interpretimin e aktorëve Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Ëngjëll Hoxha, Mario Elezi dhe Livion Aliaj.

“Është një komedi vërtet therëse, prek mjaft problematika të karakterit të individit brenda familjes, duke i shpërfaqur për të reflektuar se çfarë duhet të rregullojmë apo të ndryshojmë, çfarë të bëjmë më mirë”, thotë aktori Helidon Fino.

“Shfaqja është gati frojdiane, të fut në skutat më të errëta të dëshirave njerëzore. Publiku ishte fantastik, ishte një ëndërr”, shprehet aktorja Egla Ceno.

Vepra trajton pasionet, epshet, shpërdorimin e pushtetit, marrëdhëniet e çuditshme dhe komplekse të gjashtë personazgeve, përmes humorit dhe ironisë.

“Kaosi më ngacmoi shumë, ajo që fshihet brenda nesh, cenimi i familjes, dashuria  çmenduria në të cilën ne jemi futur si shoqëri”, u shpreh regjisori Kiço Londo.

“Çfarë pa kryeshërbëtorja” fton publikun në teatër për katër netë rresht, deri në 20 qershor.

Top Channel