
Mbytja e anijes më e famshme në historinë e njerëzimit nuk është vetëm një tragjedi e mbushur me drama njerëzore, është edhe një mister i pazgjidhur.
Pavarësisht dhjetëra ekspeditave në Titanikun që kur anija u zbulua në vitin 1985, asnjë mbetje njerëzore nuk është gjetur ndonjëherë në rrënojat e saj.
Një diskutim i kohëve të fundit në Reddit nxori në pah një nga aspektet më të frikshme dhe të pashpjegueshme të tragjedisë: megjithëse rreth 1,500 njerëz humbën jetën në fundosje, që kur anija u rizbulua në vitin 1985, asnjë ekspeditë nuk ka zbuluar mbetje njerëzore në rrënojat e saj.
Regjisori i famshëm James Cameron, i cili është zhytur në rrënojat e anijes 33 herë, pretendon se ka kaluar më shumë kohë në anije sesa vetë kapiteni. Megjithatë, ai thotë se nuk ka parë kurrë mbetje njerëzore.
“Nuk pashë asnjë mbetje njerëzore,” tha ai. “Gjetëm rroba. Palë këpucësh, kjo është provë se dikur atje kishte një trup.”
Por pse nuk janë gjetur trupat?
Një shpjegim i mundshëm është se shumë pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mbanin veshur jelekë shpëtimi, gjë që i pengoi të fundoseshin bashkë me anijen. Stuhitë dhe rrymat oqeanike që pasuan tragjedinë mund t’i kenë larguar trupat nga vendi i rrënimit. Ndërsa vitet kalonin, rrymat dhe kushtet oqeanike do t’i kishin çuar ata edhe më larg.
Ata që nuk u rrëmbyen dhe nuk u bllokuan në mbeturina ka të ngjarë të dekompozohen shpejt për shkak të veprimit të organizmave detarë dhe baktereve.
Oqeanografi i njohur Robert Ballard, i cili i pari gjeti rrënojat e Titanikut, shpjegoi për NPR se thellësia në të cilën ndodhet anija luan një rol vendimtar.
“Nën thellësinë 914 metra, kalojmë nëpër atë që quhet ‘zona e kompensimit të karbonatit të kalciumit'”, tha ai. “Uji në thellësi të mëdha është i pangopur me karbonat kalciumi – përbërësi bazë i kockave. Pasi mishi tretet dhe kockat ekspozohen, ato thjesht… shkrihen.”
Megjithatë, disa studiues spekulojnë se zonat e mbyllura të anijes, siç është dhoma e motorëve, mund të kenë ruajtur trupa njerëzish. Mungesa e oksigjenit dhe pamundësia e organizmave që pastrojnë detin për t’i aksesuar ato mund t’i kenë mbrojtur trupat nga dekompozimi.
Top Channel