“Po ecim me ritëm të shpejtë drejt integrimit”/ Begaj në mbyllje të Samitit të SEECP: Diskutim frytdhënës për forcimin e stabilitetit përmes bashkëpunimit rajonal

16/06/2025 20:29

Në fund të Samitit të SEECP-së me liderët e Procesit të Evropës Juglindore, Shqipëria ia kalon stafetën e Presidencës Bullgarisë.

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi takimin një diskutim frytdhënës për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

Shqipëria ka qëndrim të qartë e të prerë për zgjidhje paqësore të konflikteve, lidhje të forta me BE-në dhe një angazhim të fortë për anëtarësimin në BE. Ne po ecim me ritëm të shpejtë drejt integrimit, teksa vijojmë t’i qëndrojmë besnikë vlerave demokratike të Aleancës Euroatlantike. Vendet e BE-së të ofrojnë mbështetje politike dhe konkrete për anëtarësimin tonë në Union, duke garantuar që perspektiva e integrimit të mbetet reale dhe e besueshme për gjithë rajonin“, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

SEECP konsiderohet si një platformë e rëndësishme e Bashkëpunimit Rajonal dhe e Integrimit Europian.
Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024 – korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian.

Top Channel