
Përvojë dhe personalitet në mesfushë, kjo është ajo që kërkon Maximiliano Allegri për të nisur aventurën e tij të dytë si trajner i Milanit.
Për këtë arsye, java që sapo ka nisur mund të shënojë një moment të rëndësishëm, sidomos sa i përket Granit Xhakës. Xhaka i ka dhënë tashmë miratimin e tij kuqezinjve dhe tani misioni i Tares do të jetë të bindë Bayer Leverkusen që ta lëshojë. Drejtori i ri sportiv i Milanit pritet të kontaktojë së shpejti me gjermanët për të tentuar të bëjë një ofensivë për të siguruar kartonin e lojtarit.
Një operacion që Milani nuk dëshiron të rëndojë shumë financiarisht, duke qenë se Xhaka është 32 vjeç dhe ka një vlerësim rreth 12 milionë euro. Një shumë që “Rossoneri” e konsideron të arsyeshme, por shpreson ta ulë falë dëshirës së vetë lojtarit, i cili kërkon një aventurë të re jashtë Gjermanisë.
Megjithatë, Leverkusen ka një kontratë të nënshkruar me të deri në vitin 2028 dhe nuk do të shesë një tjetër titullar, ndaj Tare do të duhet të tregojë aftësi për t’i bindur.
Siç dihet, Bayerit i pëlqen Malick Thiaw i Milan dhe për këtë arsye mund të gjendet një marrëveshje shkëmbimi që i leverdis të dyja palëve. Me pak fjalë, priten ditë vendimtare për të sjellë Xhakën në Milano.
Ndërkohë, Modric tashmë mund të konsiderohet lojtar i Milanit. Vizitat mjekësore janë shtyrë për pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube që po zhvillohet në SHBA, pasi ylli kroat dëshiron të përqendrohet vetëm në dhënien e një triumfi tjetër Real Madridit përpara se të largohet përgjithmonë.
Megjithatë, nuk ka asnjë rrezik që operacioni të dështojë, pasi edhe pse mungon firma, Modric dhe Milani i kanë premtuar njëri-tjetrit se do të jenë bashkë sezonin e ardhshëm.
Top Channel