
“Shqipëria shpreh shqetësimin për tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit”, u shpreh presidenti Bajram Begaj, në konferencën për shtyp pas ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
“Ky konflikt ka pasoja serioze në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet. Po ashtu, i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore dhe balistike dhe të përmbushë detyrimet e tij, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, përfshirë traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore”, tha Begaj.
Presidentit Begaj mikpriti sot në Tiranës homologët nga Europa Juglindore pjesëmarrës në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që kryesohet nga Shqipëria. “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” ishte tema e këtij sesioni plenar.
Kështu, Shqipëria përmbyll me sukses Presidencën e saj të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore për periudhën korrik 2024 – qershor 2025.
Top Channel