Nis Botërori i klubeve në Digitalb! Lionel Mesi ndalet nga tranversa, ndeshja hapëse përfundon në barazim

15/06/2025 08:41

Ka nisur Botërori i klubeve. Një muaj i paparashikueshëm që premton emocione të reja dhe një përplasje mes stileve të ndryshme të futbollit global. Një kompeticion të cilin do ta keni mundësinë ta ndiqni drejtpërsëdrejti në DigitAlb.

Ndeshja e parë ishte ajo e grupit A mes Al Ahly dhe Inter Miami që përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0. Mesi dhe Suarez nuk arritën të thyenin murin e skuadrës egjiptiane, e cila shpërdoroi edhe një penallti me Trezege në minutën e 43-të të ndeshjes. Ndërsa ylli argjentinas, Lionel Messi, u ndal nga tranversa në minutën e fundit shtesë.

Ky turne, i pari i këtij lloji, sjell në skenë 32 klubet më të mira nga e gjithë bota, duke ofruar një çmim prej një miliard dollarësh, më shumë se dyfish i Kupës së Botës në Katar.

Polemikat nuk kanë munguar as këtë herë sepse yjet e mëdhenj duhet të përballojnë një muaj tjetër sfidash intensive në kampionatin që do të zhvillohet në 11 qytete të ndryshme të SHBA.

Në fokus do të jenë sfidat teknike, motivimi i skuadrave dhe ndikimi i kushteve klimatike. Pritet një futboll me nivel të lartë, edhe pse këtë herë do të ketë përballje mes stileve dhe kulturave të ndryshme futbolli nga Europa, Amerika e Jugut, Amerika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Favoritë mbeten gjigantët evropianë si Manchester City, Real Madrid, PSG dhe Bayern Mynih, megjithatë skuadrat e Amerikës së Jugut vijnë me motivim të lartë dhe me lojtarë të rinj premtues nga ekipe si River Plate dhe Palmeiras, të cilët sjellin një freski dhe intensitet që mund të tronditë ekuilibrat.

FIFA është kujdesur që ky event të marrë përmasa spektakolare, me risi si kamerat në trupin e gjyqtarëve dhe përfaqësimin e 81 kombeve, prej të cilave 22 marrin pjesë për herë të parë në këtë garë.

Në këtë kompeticion, ku fitimet për klubet evropiane mund të jenë deri në dhjetë herë më të mëdha sesa ato të skuadrave nga zonat më pak të zhvilluara, presioni për të fituar është i lartë, por lodhja dhe mungesa e përvojës në këtë format mund të jenë sfida të mëdha.

Sonte në mbrëmje do të keni mundësi të ndiqni ekskluzivisht në Digitalb duelin e grupit B: PSG-Atletiko Madrid në orën 21.00 dhe ndeshjen e Bayern-Munich-Auckland City që do të startojë në orën 18.00.

Top Channel