
Konferenca e Tretë e OKB-së për Oqeanet e mbajtur në Nice të Francës, ka ngjallur shpresa të mëdha, edhe pse sërish ka dyshime nëse angazhimi global për mbrojtjen e 30% të oqeaneve deri në 2030-tën, do të jetë i mjaftueshëm.
Në Nicën franceze po zhvillohet Konferenca e tretë e Oqeaneve e OKB-së. Ndryshimi i klimës, plastika, peshkimi i shfrenuar- të gjitha këto i kanë shtyrë ekspertët të flasin për “stress” të deteve dhe oqeaneve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka kërkuar që krerët e shteteve dhe qeverive të nënshkruajnë një traktat i cili t`u lejojë vendeve të krijojnë zona detare të mbrojtura në ujërat ndërkombëtare.
Peshkimi i paligjshëm, ndotja nga plastika dhe rritja e temperaturave të detit kërcënojnë ekosistemet e brishta dhe njerëzit që varen prej tyre. Rezervat e peshkut po bien, nivelet e detit po rriten dhe oqeanet po bëhen më acidikë.
Në Nice, BE-ja ofroi 1 miliard euro për financimin e projekteve të oqeaneve.
“Ne do të përpiqemi ta përgjysmojmë ndotjen nga plastika dhe lëndët ushqyese brenda pesë viteve. Kjo mund të arrihet. Miqtë e mi, kjo është një përpjekje të cilët duhet medoemos ta bëjmë”, tha Ursula von der Leyen.
Pjesë të mëdha të jetës nënujore janë të rrezikuara, sepse Toka po ngrohet. Me rritjen e vazhdueshme të temperaturës koralet shpërbëhen dhe vdesin. Ndërkohë janë të prekura rreth 84% e të gjithë shkëmbinjve koralorë në mbarë botën. Nëse detrat krahasuar me periudhën paraindustriale do të ngroheshin me 1,5 gradë, shumica e koraleve do të asgjësoheshin.
“Ngrohja me 2 gradë Celsius do të nënkuptonte shkatërrimin e pakthyeshëm”, thonë ekspertët. Rezultatet e studimeve të reja tregojnë, se ndërkohë deti po ngrohet deri në një thellësi prej 2.000 metrash, e kjo po pakëson oksigjenin për planktonin, peshqit dhe gjitarët e detit.
Top Channel