
Festivali Folklorik Shpirti i Ballkanit në këtë edicion të 7 ka sjellë së bashku ansamble nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.
Nën tingujt e muzikës tradicionale dhe ngjyrat e kostumeve popullere artistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Mali i zi etj kanë sjellë një mozaik të trashëgimisë kulturore ballkanase dhe jo vetëm.
Festivali i cili zhvillohet në dy net nisi me paradë dhe performancat e artistëve në Pazarin e Vjetër.
“Ky është edicioni i 7 i Shpirtit të Ballkanit. Në këtë edicion shumë të veçantë do ta cilësoja unë sepse përveç ansambleve folklorikë që sjellin vallet burimore të të gjithë ballkanit, një traditë e jashtëzakonshme që ne kemi, do të kemi edhe shumë banda muzikore që është për herë të parë. Ky festival shtrihet në dy ditë dhe do të sjellë bandat më të mira ballkanike.
Në natën e parë vjen një bashkëpunim nga Tirana, Maqedonia dhe Bullgaria më pas vjen Fanfara e Korçës që janë një formacion me tunxhe fantastike që sjellin një muzikë ballkanike dhe alternative dhe do të kulmojmë me Dren Abazin dhe Zig Zag orkestra.
Sot kemi shijuar në të gjithë qytetin kostumet dhe paradën e grupeve që na kanë ardhur nga vendet tona fqinje ndërkohë që nesër do të kemi një performancë nga grupi më i madh ballkanik i cili është mes Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Do të kemi gjithashtu një trio nga Mali i Zi, Greqia dhe do të performojnë të gjitha ansamblet që sot patë në rrugë do të jenë të gjithë në sheshi i Pazarit”, tha Blerta Belliu.
Për herë të parë artistë nga Franca i janë bashkuar këtij festivali duke ndarë emocionet e tyre për këtë rrugëtim kulturor
“Jemi të lumtur që jemi këtu. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri vijmë nga Franca nga zona e Savojës, në Alpet Franceze. Do të sjellim kërcimet tradicionale të vendit tonë”.
“Jemi të lumtur që jemi këtu, njerëzit janë mikpritës”.
“Kemi ardhur këtu dje dhe kemi mundur t’i takojmë pjesëmarrësit e tjerë. Na pëlqyen shumë traditat e tyre. Është kënaqësi të zbulojmë më shumë rreth traditave të tjera është diçka e bukur”.
“Jemi grupi që vjen nga Franca, nga provinca e Savojës, afër Italisë dhe Zvicrës. Jemi këtu sepse këtë vit është një kremtim mes Shanberisë dhe Korçës. Jemi këtu për paradën, për të demonstruar kërcimet e Savojës. Savoja është një pjesë që ju kthye Francës në 1870 ndaj është e rëndësishme që t’ju tregojmë të rinjve të gjitha vallet dhe traditat e vjetra të vendit”.
“Vijmë nga Franca dhe përfaqësojmë rajonin e Savojës dhe qytetin e Shanberisë. Do të sjellim një prekje perëndimore për vendet e Ballkanit që përfaqësohen këtu sot. Korça është një qytet shumë i bukur, mikpritës, me njerëz që janë shumë të sjellshëm dhe me ushqim të mirë. Festivale të tilla janë të rëndësishme sepse bashkon tradita të ndryshme dhe ne jemi një plus për këtë festival dhe jemi ndryshe nga kulturat e tjera dhe është bukur të zbulojmë”, thanë turistët.
Festivali Folklorik Shpirti i Ballkanit po kthehet në një prej ngjarjeve më të rëndësishme folklorike në Ballkan, duke promovuar Korçën si destinacion turistik dhe kulturor.
Top Channel