Rrëzimi i avionit shkaktoi një bilanc të rëndë viktimash, gjendet kutia e zezë e Air India! Familjet në pritje të përgjigjes

14/06/2025 09:47

Një regjistrues fluturimi (kutia e zezë) është gjetur në vendin e rrëzimit të avionit të Air India në Ahmedabad, lajmi u konfirmua nga ministri i Aviacionit Civil i Indisë, Ram Mohan Naidu Kinjarapu.

Kjo përbën një hap të rëndësishëm për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit që mori jetën e 241 personave nga 242 që ndodheshin në bord.

Sipas ministrit, regjistruesi i të dhënave të fluturimit u gjet brenda 28 orëve nga Byroja Indiane e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB).

“Gjetja e kutisë së zezë do të ndihmojë ndjeshëm hetimin,” deklaroi ai.

Avioni Boeing 787 Dreamliner, me fluturimin AI171, ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel në Ahmedabad me destinacion Aeroportin Gatwick të Londrës. Vetëm 60 sekonda pas ngritjes, ai u rrëzua në një zonë të banuar të quajtur Meghani Nagar, duke shkaktuar shkatërrim dhe viktima si në bord, ashtu edhe në tokë.

Të paktën tetë persona që ndodheshin në tokë u vranë gjithashtu, përfshirë katër studentë dhe katër të afërm të mjekëve që ndodheshin në një kampus mjekësor pranë vendit të rrëzimit.

Top Channel