
Një pasagjer i vetëm ka mbijetuar nga rrëzimi tragjik i avionit të fluturimit 171 të Air India, duke i shpëtuar mrekullisht aksidentit që i mori jetën 241 personave të tjerë në bord.
Viswash Kumar Ramesh, 38 vjeç, arriti të telefononte familjen e tij në Britani pak çaste pasi doli nga rrënojat e avionit dhe u shpreh i tronditur: “Nuk e di si jam gjallë. Nuk mund ta besoj se si dola gjallë prej saj. Për një moment, ndjeva sikur do të vdisja edhe unë, por kur hapa sytë dhe shikova përreth, kuptova se isha gjallë. Ende nuk mund ta besoj se si mbijetova.”
Ramesh i tha transmetuesit: “Kur fluturimi u nis, brenda pesë deri në dhjetë sekondash ndjeva sikur ishte bllokuar në ajër. Papritmas, dritat filluan të dridheshin – jeshile dhe të bardha.”
Avioni, një Boeing 787 Dreamliner, ishte nisur nga Ahmedabad i Indisë me destinacion Londrën, por u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Ndër viktimat ishte edhe vëllai i Viswash-it, Ajay Ramesh.
Në shtëpinë e familjes Ramesh në Leicester të Anglisë, mbizotëronte një atmosferë zie dhe tronditjeje. “Ai ishte thjesht në shok”, tha vëllai tjetër i Viswash-it, Nayan Ramesh, i cili tregoi se vëllai i tij kishte arritur të bëjë një video-telefonatë me të atin menjëherë pas rrëzimit. “Avioni ynë u rrëzua… Nuk kam asnjë ide se si dola jashtë,” kishte thënë Viswash në telefonatën dramatike.
Një mjek në Indi, Dhaval Gameti, i cili e ka ekzaminuar Viswash-in, deklaroi për Associated Press se ai kishte lëndime të shumta në trup dhe ishte i çorientuar, por jashtë rrezikut për jetën. Pas mbërritjes në spital, atij iu rekomandua pushim i plotë dhe iu fik telefoni për të shmangur stresin e mëtejshëm.
Rrëfimi i mbijetesës së tij është një ngjarje e rrallë dhe tronditëse, në një tragjedi që ka prekur thellë jo vetëm familjen Ramesh, por edhe komunitetin më të gjerë në Britani dhe Indi.
Top Channel