“Po flet nga vendi pa leje, s’jemi në pazar”, Rusmaili përplaset me Logun në KAS, përfaqësuesi i PD: Mos e fik mikrofonin

13/06/2025 11:30

Seanca e sotme në KAS është përfshirë nga debate të forta mes anëtarit të KAS, Ilir Rusmailit dhe përfaqësuesit të PD Marash Logut.

Debati nisi kur Logu pyeti drejtoreshën për votën e diasporës Jona Josifi për qëndrimet e KQZ në lidhje me paratë e kursyera nga votimi i diasporës.

Kjo është kundërshtuar nga KAS me argumentin se nuk është në rendin e ditës.

Logu: Ka pasur një deklaratë komisioneri shtetëror i zgjedhjeve më 10 qershor sipas së cilës komisioneri shtetëror i zgjedhjeve ka kursyer rreth 2 milionë nga kontrata me DHL. Në 12 qershor ka pasur një komunikim tjetër sipas së cilës KQZ nuk do paguajë operatorin postar DHL në asnjë rast kur mungon nënshkrimi apo kur ka vetëm një vizë dhe një pikë. Kostoja për marrjen e një zarfi dhe dërgimin është 37.5 euro. Nëse KQZ ka bërë një vlerësim paraprak që do të kursejë 2 mln euro a do të thotë që ka një vlerësim që të paktën që në 53 mijë raste mungon nënshkrimi i zgjedhësit?

Josifi: Unë s’mund të komentoj çështje pagesash apo artikuj portalesh.

Logu: Kjo s’është çështje artikuj portalesh.

Rusmaili: Pa nervozizëm.

Logu: Se çfarë është objekt seance e përcaktojmë ne që jemi këtej dhe ata që janë andej.

Rusmaili: Jo ju nuk e përcaktoni.

Logu: E përcaktojmë edhe ne, mos e fik tani (mikrofonin). Ça e ke këtë, kujton se s’flas dot pa mikrofon? Kjo ka të bëjë me çështje të integritetit.

Rusmaili: Duhet të rivendoset qetësia në sallë, qetësi dhe komunikim korrekt me njëri tjetrin, nuk jemi në pazar, po flet nga vendi pa leje, kjo tregon nervozizëm.Duhet të qetësohesh dhe përgatitesh të mos krijosh incidente. Nuk janë të mira për procesin, do bëjmë 10 minuta pushim.

Pas rinisjes së seancës, PD kërkoi hapje të të gjitha kutive, rinumërim dhe rivlerësim për: Gramshi KZAZ 52, Peqini KZAZ 45.

Sot po shqyrtohet kërkesa ankimore nr. 56, datë 29.05.2025, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore me objekt: “

1. Kundërshtimi i vendimit nr. 1328, datë 24.05.2025, të KSHZ, “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Elbasan, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin, të datës 11 maj 2025”.

2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku Elbasan.

3. Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar përsërtijen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Elbasan”.

Top Channel