
Dukej e pamundur, e megjithatë tashmë lajmi ka bërë xhiron e botës: Nga rrëzimi i avionit të Air India një ditë më parë, humbën jetën të gjithë personat në bord me përjashtim të shtetasit britanik me origjinë indiane Vishwash Kumar Ramesh.
Burri doli nga avioni i rrëzuar me këmbët e tij, vetëm me disa gërvishje e një lëndim në këmbë. Gati 300 vetë vdiqën nga rrëzimi i Boeingut 787 Dreamliner, përfshirë edhe njerëz në tokë, pasi avioni ra në një zonë të banuar pranë aeroportit.
Ekspertët e aviacionit ende nuk dinë ta shpjegojnë sesi i mbijetoi Rameshi jo vetëm përplasjes, por edhe shpërthimit që e pasoi. Një prej tyre Anita Mendiratta tha për GB News se e konsideron diçka të tillë “një mrekulli, veçanërisht kur merr parasysh faktin se avioni sapo ishte nisur, që do të thotë se po fluturonte me rezervuarin e mbushur plot me karburant”.
Në mediat e huaja, kjo tashmë po përshkruhet si “mrekullia e sediljes 11A”, vendi ku ishte ulur Ramesh në avion. “Shumë pak pas ngritjes në ajër, pati një zhurmë të fortë dhe avioni nisi rënien.
Gjithçka ndodhi kaq shpejt”, citohet të ketë thënë ai në një intervistë në spitalin ku po trajtohet. Ramesh rrëfeu se kishte qenë duke vizituar familjen në Indi dhe po kthehej në Mbretërinë e Bashkuar me vëllain e tij, i cili ishte ulur në një rresht tjetër. Air India më vonë konfirmoi se nga 242 personat në bordin e fluturimit, 241 kishin vdekur, duke e bërë Rameshin të mbijetuarin e vetëm të tragjedisë.
Mendiratta shtoi megjithatë se pavarësisht faktit që fizikisht, Ramesh arriti të largohej nga avioni, trauma e kësaj ngjarjeje sipas saj, është tashmë pjesë e sistemit të tij qelizor, dhe shërimi shpirtëror mund të rezultojë shumë më i vështirë sesa ai i plagëve të marra.
Top Channel