Zgjatja e hetimeve për Ilir Metën, reagon Berisha: Po mbahet në burg pa asnjë provë, do përgjigjen për këtë vendim

11/06/2025 12:27

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me zgjatjen e hetimeve për ish-presidentin e vendit, Ilir Meta.

Ai u shpreh se ky është një akt politik, pasi sipas Berishës, Meta po mbahet në burg pa prova. Kreu i PD-së ndër të tjera u shpreh se do të përgjigjet për këtë vendim.

Vendimi i fundit për të mbajtur në burg kryetarin e Partisë së Lirisë, partisë së dytë më të madhe opozitare, është një akt politik, kriminal që dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta.

Që dëshmon papajtueshmërinë e tij, intolerancën absolute atërore ndaj opozitës dhe opozitarizmit. Ilir Meta u burgos në mënyrë brutale, pa asnjë urdhër arresti, me urdhër të vetëm të Edi Ramës. Ilir Meta u mbajt dhe mbahet në burg si person në hetim pa asnjë provë, asnjë fakt penal.

Dorëzojnë dosje në gjykatë pa fakt penal dhe vendosin t’i zgjasin edhe 6 muaj hetimet dhe për këtë qëllim duhet mbajtur në burg. Nuk ka kufi urrejtja e Edi Ramës për kundërshtarin politik.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dënoj me forcën më të madhe vendimin e fundit, do përgjigjen për këtë vendim”, tha Berisha.

Top Channel