
Identifikohet rasti i parë me linë e majmunit në Shqipëri.
Burime të gazetares së Top Channel, Alma Demiraj, konfirmojnë se sëmundja infektive virale shkaktuar nga virusi monkeypox është diagnostikuar tek një i ri rreth të tridhjetave.
Mësohet se i riu ka udhëtuar jashtë vendit, të paktën kjo është ajo që ka treguar para mjekëve të cilët e lidhin këtë të fundit si shkak infektimi, pasi deri më tani në Shqipëri nuk kanë identifikuar ose të paktën nuk janë raportuar nga Instituti i shëndetit publik raste të prekura nga lija e Majmunit.
Simptomat e kësaj sëmundje janë temperaturë, dhimbje trupi, ënjtje të nyjave limfatike, skuqje dhe puçrra që shndërrohen në flluska me kore.
Ato dalin zakonisht në duar fytyrë dhe organe gjenitale. Sëmundja e monkeypox përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë me personat e infektuar si prekje e lëkurës apo marrëdhënie intime. Por një person mund të infektohet edhe nga kontakti i objekteve të kontaminuara si çarçafët, peshqirët apo rrobat.
Monkeypox është sëmundje e Afrikës pasi virusi qarkullon në kafshët e egra. Në vitin 2022 kjo sëmundje u përhap në Europë dhe ShBA dhe Mbretërisë e Bashkuar.
Spanja ka qenë vendi me numrin më të lartë nga Mpox me afro 8100 raste më pas Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sëmundja monkeypox është e kurueshme, personi duhet të izolohet nga anëtarët e tjerë të familjes. Ajo shfaq simptoma më të rënda tek fëmijët apo personat me imunitet të dobët
Top Channel