Gjykata rrëzoi padinë kundër Lively dhe Reynolds, avokati i Baldonit: Do të ngremë një akuzë me katër pretendime të reja

10/06/2025 18:13

Justin Baldoni nuk do të rrijë duarkryq pasi padia e tij prej 400 milionë dollarësh për shpifje kundër Blake Lively dhe bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, u rrëzua.

Gjykata rrëzoi vetëm pretendimin për shpifje, ndërsa i lejoi palës së Baldonit të ngrejë një padi të rishikuar që do të përfshijë katër pretendime të reja – duke përfshirë shkeljen e privatësisë dhe zhvatjen. Përveç kësaj, Lively mund të dëshmojë zyrtarisht, pasi ekipi ligjor i Baldonit paraqiti një kërkesë për transkriptimin e dëshmisë së saj javën e kaluar.

Në një deklaratë, avokati i Baldonit, Brian Friedman, tha se pretendimi i Lively-t për një “fitore për gratë” është i rremë. “Deklarata e parashikueshme e fitores nga znj. Lively dhe ekipi i saj është e rreme, prandaj le të jemi të qartë në lidhje me vendimin e gjykatës”, tha Friedman. “Ndërsa gjykata i rrëzoi akuzat për shpifje, ajo na urdhëroi të ndryshojmë katër nga shtatë akuzat totale kundër znj. Lively, duke i mbështetur ato me prova dhe akuza shtesë që do të riparaqiten. Ky rast përfshin akuza të rreme për ngacmim seksual dhe një fushatë shpifjeje hakmarrëse që vetë ekipi i znj. Lively e quan “të pagjurmueshme” sepse nuk mund të provojë diçka që nuk ka ndodhur”, shtoi ai.

“Më e rëndësishmja, akuzat e znj. Lively nuk janë më të vërteta sot sesa ishin dje. “Faktet janë në anën tonë, ne vazhdojmë me të njëjtin besim që kishim që nga fillimi dhe presim dëshminë e saj, të cilën unë personalisht do ta marr përsipër”, përfundoi ai.

Konflikti zyrtarisht filloi në dhjetor 2024, kur Lively paraqiti një ankesë në Departamentin e të Drejtave Civile të Kalifornisë, duke pretenduar se Baldoni e ngacmoi seksualisht në sheshxhirimin e filmit “It Ends with Us” dhe se ai organizoi një fushatë shpifjesh kundër saj. Pasoi një padi, e cila përmendi edhe bashkëpunëtorët e Baldonit, siç është kompania e tij Wayfarer Studios, CEO-ja, financuesi Steve Sarovitz, dhe bashkëpunëtorët e marrëdhënieve me publikun Melissa Nathan dhe Jennifer Abel.

Baldoni i mohoi të gjitha akuzat dhe u përgjigj me një padi prej 400 milionë dollarësh kundër Lively, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe publicistes së saj Leslie Sloan, duke i akuzuar ata për shpifje dhe zhvatje. Më pas ai ngriti një padi të veçantë prej 250 milionë dollarësh kundër The New York Times.

Gjykatësi që dëgjoi çështjen vendosi që deklaratat në fjalë të Lively-t ishin të përfshira në dokumente ligjore dhe për këtë arsye nuk binin nën ligjin e shpifjes. Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk kishte prova që Reynolds ose Sloan e dinin se ajo që ishte thënë ishte e rreme.

Në një deklaratë, ekipi ligjor i Lively-t tha: “Vendimi i sotëm është një fitore absolute dhe një justifikim i plotë për Blake Lively-n dhe të tjerët që Justin Baldoni dhe Wayfarer u përpoqën t’i implikonin në padinë e tyre për hakmarrje – përfshirë Ryan Reynolds, Leslie Sloan dhe New York Times. Ne kemi thënë që nga fillimi se ky është një rast i sajuar dhe gjykata e pa qartë të vërtetën.”

Pala e Lively-t njoftoi gjithashtu se do të kërkojë ligjërisht rimbursimin e kostove, dëmshpërblimet e shumëfishta dhe ndëshkuese nga Baldoni, Sarovich dhe palët e tjera të përfshira në Wayfarer.

Top Channel